Herën e kaluar folëm për prejardhjen e emrit Piro prej fjalës shqipe prush. Tani do të shqyrtojmë me kujdes emrin e shtetit ku sundoi Pirua, por së pari do të themi disa vargje nga Pier dë Rosnar, shkëputur prej vjershës “Sonet për Skënderbeun”, përkthyer prej mjeshtrit Vedat Kokona:
Veç kuaj të harbuar dhe race s’nxjerr Epiri,
Që dalin fitimtarë në vrapin Olimpian:
Por nxjerr dhe luftëtarë kreshnikë të tillë me nam
Që mburren se në rremba u lëvrin gjak Akili.
Piron kam dëshmitar, atë fatos vigan,
Që kurrë s’u mund gjersa n’Argos iu këput filli,
Dhe Skënderbeu që mundi popullin skithian,
Atë nga gjithë Azia që jashtë ka nxjerrë ungjillin.
Pas këtyre vargjeve rrëqethëse, le të ndalemi në shqyrtimin e emërtimit Epir. Kemi dy shpjegime të deritanishme; atë, më të përhapurin, që na thotë se grekët emërtuan vendin përballë ishullit të Korfuzit. Nëse do të ishte kështu atëhere do të quheshin Epir gjithë kolonitë që grekët e mëparshëm patën në Adriatik. Shpjegimi tjetër vjen prej prof. Kondës i cili e shpjegon nga fjala shqipe epër, pra vendi sipër detit, bregu i detit. Ndonëse shpjegimi i Profesorit është disi më i pranueshëm, përsëri nuk e kënaq kërshërinë tonë, pasi nëse do të ishte kështu atëhere gjithë bredetin nga Jugu në Veri do ta quanim Epir.
Mendimi ynë bazohet në disa fakte të thjeshta, historiko-gjuhësore. Para së gjithash Epiri nuk mund të jetë emërtuar prej grekëve pasi grekët e qëmotshëm i quanin Epiriotët “barbarë”, fjalë që tashmë ia dimë kuptimin (njeri që nuk flet gjuhën e grekëve), po ashtu ata ngritën në Epir një koloni, do ishte e pavend, madje buzëqeshëse, që grekët e qëmotshëm të ngrinin koloni në vendin e tyre.
Së dyti, studiuesit kur përmendin emrin e Piros shtojnë edhe përkatësinë “I Epirit”, pra “Pirua i Epirit”. Kjo na çon në mendimin se aso kohe edhe vendi të merte emërtimin siopas mbretit të lavdishëm “Toka e Piros”. Në lashtësi kemi mjaft vende që emërtoheshin pas perëndive apo personaliteteve të shquar, p.sh.: Athina (qyteti i Athinasë), Aleksandri (qytet i Aleksandrit), vetë Pirua i Epirit kishte ndërtuar e emrtuar një qytet me emrin Antigonea (për shkak të gruas së vet aq të bukur).
Emërtimi i Epirit (si tokë e Piros), nuk ka lidhje vetëm me Piron e shek III p.K., por edhe me praardhësin e tij Piro Neoptolemi, biri i Akilit, luftëtar i Trojës, që hodhi vallen Pirike rrotull kufomës të së atit të goditur në themër.
Flasim pak për nyjen i/e të gjinores, që sipas prof Demirajt është “sui generis e shqipes”, pra nuk e ka ndonjë gjuhë tjetër Indoeuropiane. Kjo nyje, po sipas Porofesorit të parapakpërmendur ” nyja e përparme ka pasur një funksion caktues”. Prof. Besim Bokshi na mëson se “nyja e përparme është më e hershme se e prapmja”. Pra kemi dy të dhëna të rëndësishme për problemin: e para që nyja është mjet gramatikor vetëm i shqipes, e dyta që është shumë e lashtë. Më tutje, prof. Demiraj na thotë se “Nyja e përparme në shqip luan rol trajtëformues dhe fjalëformues”. Kjo na sjell tek përfundimi se asi kohe Epiri që është quajtur “Toka e Piros”, me kalimin e kohës, në bazë të ligjit fjalëformues të nyjes së përparme, bëri që tek kjo fjalë caktuese, E-ja t’i përngitej emrit dhe të formonte emërtimin e vendit: Toka e Piros= EPIROS (EPIRI). Në shqipet kemi disa toponime ku nyja caktuese është bashkëngjitur emrit që vjen pas dhe janë bërë një fjalë e vetme, p.sh. Tuzi, Emantia etj.
Nga sa shqyrtuam më lart arrijmë në përfudnimin se Epiri është emërtuar sipas njerëzve që kanë zotëruar atë tokë të begatë… E-Piro-ve (pasi nuk kemi vetëm një Piro). Pra toka e njerëzve që i kanë flokët të zjarrta, si prushi ku Pirustët vendosnin Pirustinë, ku treteshin metalet me ngjyrë, ndërkohë që ata hidhnin vallen Pirike rreth atij vendi.
Së fundi dua ta mbyll me një letër që Skënderbeu i dërgon princit të Tarantos, në atë vit të largët 1462: “Ne jemi trashëgimtarë të Epiriotëve, që u dhanë për armik Romakëve, Pirron dhe të Maqedonasve, që i dhanë Indisë si fitimtar Aleksandrin.”Amin!
Shënim. Të gjitha të drejtat e botimit i takojnë autorit Erget Cenolli.