Ndryshon taksimi i automjeteve, dyfishohet tarifa vjetore për naftën dhe benzinën. Taksohen edhe makinat elektrike

HomeActual

Ndryshon taksimi i automjeteve, dyfishohet tarifa vjetore për naftën dhe benzinën. Taksohen edhe makinat elektrike

HISTORIA E FSHATIT PODGORIE ,ME TRIMA QË KONTRIBUAN PËR MBROJTJEN E KRAHINËS…
Dita e Hapur për Turizmin e Juglindjes, 19 udhërrëfyes të rinj certifikohen në Korçë
Erget Cenolli – EPIRI SI TOKË “E PIROS”

Ndryshon taksimi i automjeteve, dyfishohet tarifa vjetore për naftën dhe benzinën. Taksohen edhe makinat elektrike

Qeveria propozon ndryshime të rëndësishme në skemën e taksimit të automjeteve, duke parashikuar rritjen e taksës vjetore për makinat me naftë dhe benzinë, vendosjen e detyrimeve për automjetet elektrike dhe rritjen e taksës për makinat luksoze.

Ndryshimet vijnë në kuadër të Paketës Fiskale 2027, ku heqja e taksës së qarkullimit në karburant shoqërohet me një formulë të re taksimi, e cila pritet të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat e drejtuesve të automjeteve.

Sipas propozimit, tarifa fikse që përdoret për llogaritjen e taksës vjetore dyfishohet për automjetet me motor deri në 2,000 kubikë. Për makinat me naftë, ajo rritet nga 12.5 në 25 lekë, ndërsa për automjetet me benzinë ose gaz nga 10 në 20 lekë.

Për motorët mbi 2,000 kubikë, tarifa parashikohet të jetë 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën ose gazin.

Sa do të paguajnë më shumë drejtuesit e automjeteve?

Sipas përllogaritjeve të paraqitura, një makinë 10-vjeçare me motor 2.0 naftë do të paguajë rreth 11,800 lekë në vit, nga 5,900 lekë që paguan aktualisht.

Ndërsa për një automjet 10-vjeçar me motor 2.9 naftë, taksa vjetore pritet të rritet nga 8,700 lekë në rreth 18,100 lekë.

Taksa edhe për makinat elektrike

Një tjetër ndryshim prek automjetet elektrike, të cilat deri më tani përfitonin nga përjashtime fiskale. Sipas propozimit të ri, ato do të paguajnë një taksë fikse vjetore prej 15 mijë lekësh, ndërsa motomjetet elektrike 1 mijë lekë.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu automjetet e reja të moshës 0-3 vjeç, të cilat parashikohet të përfshihen në skemën e taksimit.

Rritet taksa për makinat luksoze

Edhe pronarët e automjeteve luksoze do të përballen me një detyrim më të lartë. Taksa vjetore shtesë për këtë kategori parashikohet të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.

Detyrime të reja parashikohen edhe për rimorkiot dhe gjysmërimorkiot, me tarifa që do të përcaktohen në varësi të peshës së tyre.

33.8 miliardë lekë të ardhura nga taksimi i automjeteve

Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Financave, skema e re synon të sigurojë rreth 33.8 miliardë lekë të ardhura vjetore nga taksat e automjeteve, kundrejt rreth 7.2 miliardë lekëve që parashikohet të mblidhen me sistemin aktual.

Nga ana tjetër, heqja e taksës së qarkullimit në karburant dhe e TVSH-së mbi të pritet të ulë të ardhurat buxhetore me rreth 31.2 miliardë lekë.

Në këtë mënyrë, qeveria synon të zhvendosë një pjesë të barrës fiskale nga konsumi i karburantit drejt pronësisë së automjetit.

Nëse propozimet miratohen dhe hyjnë në fuqi nga 1 janari 2027, drejtuesit e automjeteve do të duhet të përballen me një skemë të re pagesash, ku detyrimi vjetor do të varet nga lloji i karburantit, cilindrata dhe vjetërsia e makinës.

Mbetet për t’u parë nëse këto ndryshime do të miratohen në formën e propozuar në Paketën Fiskale 2027.