Rama paralajmëron paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane: “Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar prezantimin e një pakete të re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, një ditë pas protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje, hedhje molotovësh drejt institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.
Përmes një reagimi, Rama bëri të ditur se paketa është hartuar pas një pune intensive me ekspertë europianë dhe në bashkëpunim me partnerët italianë dhe francezë, duke u mbështetur edhe në modelet e tyre ligjore dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas kryeministrit, parimi themelor mbi të cilin mbështetet kjo paketë është: “Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.”
Paketa parashikon gjashtë instrumente ligjore që synojnë të forcojnë përgjegjësinë individuale për aktet e dhunës, të mbrojnë pronën publike dhe private, si dhe të garantojnë zhvillimin e tubimeve paqësore.
Gjashtë instrumentet e paketës ligjore:
* Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla të dëmtuara.
* Një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve.
* Ndryshime në ligjin për tubimet.
* Krijimi i një regjistri elektronik të posaçëm për dhunuesit urbanë.
* Ndryshime në Kodin e Etikës së Mësuesve.
* Propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Rama theksoi se masat janë hartuar në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor.
Ai shtoi se përgjegjësia do të jetë individuale, masat kufizuese do të jenë të përkohshme dhe të arsyetuara, ndërsa kufizimet e rëndësishme do t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor.
Kreu i qeverisë bëri gjithashtu të ditur se në ditët e para të javës së ardhshme do të prezantohet edhe Buxheti i vitit 2027, për të cilin paralajmëroi risi në mbështetje të familjeve, shërbimeve për qytetarët, të rinjve dhe studentëve.
Prezantimi i paketës së re ligjore pritet të hapë diskutime mbi mënyrën se si do të zbatohen masat e propozuara dhe ndikimin e tyre në garantimin e së drejtës për protestë dhe në parandalimin e akteve të dhunës.
