Korçë/ Dyshohet se dhunoi një fëmijë 4-vjeçar në kopsht, arrestohet edukatorja!
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Korçë, ku një edukatore është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë vetëm 4 vjeç në kopshtin ku ai qëndronte.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja është bërë e ditur pas denoncimit të nënës së të miturit, e cila kishte vënë re prej disa ditësh ndryshime në gjendjen e djalit të saj.
Pas bisedës me të ëmën, 4-vjeçari i ka treguar se ishte goditur nga edukatorja në ambientet e kopshtit.
Pas kallëzimit, policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore, duke kryer edhe këqyrjen e pamjeve filmike të siguruara nga ambientet e institucionit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, edukatorja është arrestuar dhe ndaj saj rëndon akuza për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Ngjarja ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e fëmijëve në institucionet parashkollore dhe përgjegjësinë për garantimin e një mjedisi të sigurt për ta.
qarku.al
