Armand Braho denoncon shkatërrimin e gjelbërimit në Korçë: Të hetohet projekti për Liceun Francez

HomeActual

Armand Braho denoncon shkatërrimin e gjelbërimit në Korçë: Të hetohet projekti për Liceun Francez

VOX POP| Pse nuk punonjë Shqiptarët? “Këtu i bëjnë bisht punës, jashtë kanë frikë efendikoin…
Maliq – Një aksident është shënuar pak minuta më parë në aksin rrugor Korçë – Maliq, në afërsi të fshatit Vloçisht.
Korçë/Dëmtuan me mjete të forta një 30-vjeçar

Armand Braho denoncon shkatërrimin e gjelbërimit në Korçë: Të hetohet projekti për Liceun Francez

Gazetari dhe lektori Armand Braho ka denoncuar ndërhyrjet në hapësirën e gjelbër pranë Fakultetit të Shkencave Humane dhe Shkencave të Natyrës në Korçë, të cilat, sipas tij, po kryhen në kuadër të projektit për ndërtimin e Liceut Francez. Në reagimin e tij, Braho e cilëson situatën një “masakër mjedisore”, duke ngritur shqetësimin për dëmtimin e pemëve shumëvjeçare dhe humbjen e një prej hapësirave të veçanta të qytetit.

Braho drejton kritika ndaj Niko Peleshit, të cilin e lidh me promovimin e projektit, dhe kundërshton mënyrën se si po ndërhyhet në hapësirat publike. Sipas tij, pasojat mbi gjelbërimin rrezikojnë të jenë të pakthyeshme, ndërsa projektet e reja duhet të vlerësohen edhe për ndikimin që kanë mbi mjedisin dhe interesin e qytetarëve.

Në reagim kritikohet edhe qëndrimi i Universitetit “Fan S. Noli”. Braho pretendon se institucioni nuk ka shfaqur kundërshtim publik ndaj ndërhyrjes, ndonëse, sipas tij, duhet të jetë ndër të parët në mbrojtje të trashëgimisë natyrore dhe interesit publik.

Ai u bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe SPAK-ut të hetojnë projektin, qëllimet e tij dhe përgjegjësitë e personave që kanë mundësuar ndërhyrjen.

Reagimi i plotë:

Nga: Armand Braho

Një masakër mjedisore po ndodh aktualisht në ambientet e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Shkencave të Natyrës në Korçë. Projekti për ngritjen e Liceut Francez, përbri të ashtuquajturit “Poli i Dijes”, një objekt për të cilin ende nuk dihet se kur dhe si do të përfundojë, po shoqërohet me shkatërrimin e një prej hapësirave më të veçanta të gjelbra të qytetit.

Parku po shfaroset! Një ndër zonat më unike, me pemë shumëvjeçare dhe një pasuri natyrore të pazëvendësueshme, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje që rrezikon të lërë pasoja të pakthyeshme. Ajo që është ndërtuar nga natyra ndër dekada, po zhduket në emër të një tjetër projekti gllabërues, duke goditur drejtpërdrejt një prej mushkërive të gjelbra të Korçës.

Në qendër të shkatërrimit është Niko Peleshi, emri i të cilit është lidhur me promovimin e këtij projekti. Në vazhdën e ndërhyrjeve të kontestuara në hapësirat publike të qytetit, duket se nuk është kursyer as kjo pjesë e çmuar e Korçës. Një qytet që dikur krenohej me gjelbërimin, historinë dhe identitetin e tij urban, sot po sheh se si hapësirat natyrore po i lënë vendin betonit të Niko parelliut. Etja për projekte të reja që i shërbejnë vetëm një rrethi të vogël njerzish duket se nuk njeh kufij, as kur çmimi është shkatërrimi i një pasurie që nuk mund të rikthehet më, një praktikë e kthyer në zakon në Korçën e Nikos.

Por një element tjetër, po kaq i rëndë, është indiferenca zyrtare e Universitetit “Fan S. Noli” ndaj asaj që po ndodh në ambientet e fakultetit. Një institucion akademik, që duhet të jetë ndër të parët në mbrojtje të mjedisit, trashëgimisë natyrore dhe interesit publik, deri tani nuk ka shfaqur një kundërshtim publik ndaj kësaj ndërhyrjeje.

Në mënyrë urgjente institucionet e drejtësisë dhe SPAK duhet të kalojnë në hetim këtë projekt, i cili parimisht edhe pse ka kaluar në të gjitha hallkat burokratike të partisë shtet, duhet hetuar për qëllimet reale të tij dhe përfshirjen e personave që i kanë hapur rrugë shkatërrimit të pakthyeshëm.