Rikthehet futbolli i moshave në Pojan, 32 fëmijë gati për kampionat
Futbolli i moshave rikthehet në Pojan pas një periudhe ndërprerjeje. Ekipi “KF Pojani” është riorganizuar dhe do të marrë pjesë në kampionatin e moshave në Qarkun e Korçës.
Në skuadër janë aktualisht 32 fëmijë, ndërsa federimet janë përfunduar dhe ekipi është gati për nisjen e sezonit të ri.
Sipas organizatorëve, takimet e kampionatit do të nisin më 1 tetor, me pjesëmarrjen e 11 ekipeve nga Qarku Korçë. Rikthimi i KF Pojani synon t’u krijojë fëmijëve të zonës mundësinë për të ushtruar sportin, për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara të futbollit.
Për të garantuar vijimësinë e aktivitetit dhe përballimin e nevojave të ekipit gjatë sezonit, është bërë thirrje për mbështetje nga sportdashësit, bizneset dhe emigrantët shqiptarë që dëshirojnë të kontribuojnë përmes sponsorizimit.
Nisma synon të mbështesë jo vetëm një ekip futbolli, por edhe angazhimin e fëmijëve në sport dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e talenteve të rinj në zonë.
32 fëmijë, një ekip dhe një sezon i ri që nis me shumë entuziazëm në Pojan.
