Greqia prezanton paketë të re masash: 400 euro për pensionistët, bonus për administratën dhe paga minimale drejt 1,000 eurove

HomeActual

Greqia prezanton paketë të re masash: 400 euro për pensionistët, bonus për administratën dhe paga minimale drejt 1,000 eurove

Arian Jaupllari/Sfida e mandatit të katërt është të dëgjojmë më mirë qytetarët dhe t’u japim zgjidhje
Po na gënjejnë për 1 prill/Çfarë mendojnë pesionistët për rritjen e pesioneve?
Procedime penale në Korçë: Kontrabandë mallrash dhe kalim i paligjshëm i kufirit

Greqia prezanton paketë të re masash: 400 euro për pensionistët, bonus për administratën dhe paga minimale drejt 1,000 eurove

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka prezantuar një paketë të gjerë masash ekonomike dhe sociale, që synojnë rritjen e të ardhurave të qytetarëve, mbështetjen e familjeve, pensionistëve, fermerëve dhe administratës publike.

Masat u bënë publike gjatë fjalimit të tij në Qendrën e Konferencave “Vellidio”, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, ku Mitsotakis paraqiti edhe udhërrëfyesin e qeverisë greke për vitin 2027.

Fjalimi nisi me një minutë heshtje në nderim të dy pilotëve të Forcave Ajrore Greke, të cilët humbën jetën pas rrëzimit të një avioni luftarak Phantom në Tanagra.

“Mendimet tona janë me familjet e dy pilotëve”, deklaroi Mitsotakis, duke garantuar mbështetjen e shtetit për familjet e viktimave.

400 euro për pensionistët

Një nga masat më të rëndësishme prek pensionistët. Ndihma vjetore që jepet në muajin nëntor do të rritet nga 300 në 400 euro për personat mbi 65 vjeç.

Ndërkohë, administrata publike do të përfitojë një bonus prej 500 eurosh për rreth 720 mijë punonjës, duke nisur nga viti 2027. Sipas qeverisë greke, kjo masë do të jetë e përhershme dhe do të merret parasysh edhe në llogaritjen e pensionit.

Mbështetje për familjet dhe fëmijët

Paketa parashikon gjithashtu masa të reja për familjet. Prindërit do të kenë mundësinë të hapin një llogari kursimi për fëmijët gjatë dy viteve të para pas lindjes, ndërsa shteti do të kontribuojë me të njëjtën shumë që depozitojnë prindërit, deri në 1,200 euro në vit.

Një tjetër masë favorizon familjet me tre fëmijë, të cilat do të kenë zero taksë mbi të ardhurat deri në 20 mijë euro.

Lehtësira për bizneset, fermerët dhe blegtorët

Për profesionistët dhe bizneset e vogla parashikohet heqja graduale e taksës së aktivitetit në rajone, ndërsa në Atikë ajo do të reduktohet me 50% në vitin 2028 dhe do të hiqet përfundimisht në vitin 2029.

Fermerët do të përfitojnë nga rritja e pragut të patatueshëm në 20 mijë euro, masë që sipas qeverisë prek rreth 50 mijë prodhues.

Për blegtorët, qeveria greke do të kërkojë fonde shtesë nga Bashkimi Europian, ndërsa Mitsotakis premtoi mbështetje për rikuperimin e tufave të humbura.

Paga minimale drejt 1,000 eurove

Në fokus të paketës janë edhe pagat. Për punonjësit e sektorit privat parashikohet ulje e mëtejshme e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Sipas planit të qeverisë, paga minimale do të arrijë në 950 euro gjatë vitit 2027, ndërsa objektivi është që ajo të shkojë në 1,000 euro në janar të vitit 2028.

Një tjetër objektiv ambicioz është ulja me 30% e kostos së energjisë elektrike gjatë tre viteve të ardhshme.

Ndërkohë, për personat me aftësi të kufizuara është njoftuar indeksimi i përfitimeve sociale.

Paketa e re e masave konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të gjera ekonomike të qeverisë greke për vitet e ardhshme, me fokus rritjen e fuqisë blerëse dhe lehtësimin e barrës financiare për qytetarët.