Indeksimi i pagave me 2.5% në 2026, për administratën vendore rritje deri në 10 mijë lekë

HomeUncategorized

Indeksimi i pagave me 2.5% në 2026, për administratën vendore rritje deri në 10 mijë lekë

Njoftim Shtesë/Policia Kufitare Greke bllokon qarkullimin në Kapshticë!
Aksident në aksin Korçë – Maliq, në afërsi të fshatit Pocestë, plagoset një person
Aksident në Korçë/ Niset me urgjencë drejt spitalit një i plagosur

Qeveria parashikon për vitin 2026 indeksimin e pagave me 2.5%, në të njëjtën masë me inflacionin, për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe të pushtetit vendor.

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka konkretizuar këtë politikë përmes një projektvendimi, i cili parashikon rritje pagash për 5 kategori të punonjësve të pushtetit vendor, me efekte financiare që variojnë nga 1,000 deri në 10,000 lekë në muaj, në varësi të pozicionit dhe klasës.

Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, indeksimi bazohet në indeksin e çmimeve të konsumit prej 2.5%, dhe do të zbatohet njësoj për të gjithë nëpunësit dhe punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, ashtu si për institucionet e administratës publike qendrore.

Rritja më e lartë për punonjësit mbështetës

Rritja më e ndjeshme parashikohet për punonjësit administrativë dhe mbështetës të pushtetit vendor, për të cilët paga bazë do të rritet me 10,000 lekë në muaj, duke kaluar nga 40,000–47,000 lekë në 50,000–57,000 lekë.

Ndryshimet sipas kategorive

  • Funksionarët e zgjedhur vendorë përfitojnë rritje të kufijve të pagës:
    • Kufijtë minimalë: nga 3,925 lekë në 6,700 lekë në muaj
    • Kufijtë maksimalë: nga 4,625 lekë në 7,969 lekë në muaj
  • Për pozicionin “Specialist”, klasa IV-4, rritja është 1,000 lekë në muaj, ndërsa për Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë rritja arrin në 2,625 lekë në muaj.
  • Për nëpunësit e klasave III dhe IV, rritja varion:
    • 4,000 lekë në muaj për klasat III-1, III-2 dhe III-3
    • 5,000 lekë në muaj për klasat IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4
  • Për klasat I dhe II, rritja e pagës për pozicion varion nga 3,525 lekë deri në 5,425 lekë në muaj.

Efektet financiare

Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave:

  • Rreth 60 milionë lekë në muaj do të jenë kostot për punonjësit mbështetës
  • Rreth 83 milionë lekë në muaj për punonjësit e tjerë, për shkak të rritjes së kufirit minimal të pagës

Vendimi pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare të shtrira nga 1 janari 2026, dhe do të përballohet nga transfertat buxhetore dhe të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Burimi: Monitor