Andis Salla, Ministër i Bujqësisë: Në terren për menaxhimin e çarjeve të argjinaturave dhe normalizimin e situatës

HomeUncategorized

Andis Salla, Ministër i Bujqësisë: Në terren për menaxhimin e çarjeve të argjinaturave dhe normalizimin e situatës

Maliq/ 59 Vjeçari dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur
Korçë/Kanosi babanë e tij, ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes dhe ..
Vlerësim për gazetarinë: Endri Fifo nderon Armand Brahon

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe ekipet e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, ndodhen prej orësh në terren për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Në bashkëpunim të ngushtë me bordin e kullimit dhe me bashkitë përkatëse, ekipet po punojnë intensivisht për të vlerësuar dhe riparuar dëmet në argjinaturat e disa lumenjve.

“Siç e shikoni, jemi në terren me gjithë strukturat përgjegjëse. Në disa zona kemi pasur çarje në argjinatura dhe jemi duke ndërhyrë menjëherë për t’i mbyllur. Këtu ku ndodhemi, rruga po hapet për të siguruar kalimin e mjeteve dhe transportimin e materialeve të nevojshme që do të na lejojnë të zgjidhim përfundimisht problematikën,” – deklaroi ministri Salla.

Ai theksoi se në një nga zonat e prekura është bërë devijimi i ujërave, të cilat tashmë janë rikthyer drejt shtratit të lumit, duke shmangur përmbytjen e tokave bujqësore. Po kështu, ndërhyrjet po vijojnë edhe në zona të tjera problematike në Sarandë, Fier dhe Lezhë, ku ekipet janë afër përfundimit të punimeve emergjente.

Sa i përket dëmeve, ministri njoftoi se evidentimi i tyre do të nisë menjëherë pasi të përmbyllet plotësisht faza e ndërhyrjeve në terren.

“Do të evidentojmë të gjitha dëmet në të gjithë territorin e Shqipërisë, në zonat ku reshjet kanë shkaktuar probleme në shtratin e lumenjve dhe në argjinatura. Më pas do të kalojmë në vlerësimin e dëmeve për çdo fermer, blektor dhe për të gjithë sektorin bujqësor,” – u shpreh Salla, duke theksuar se aktualisht fokusi kryesor mbetet mbyllja e emergjencave.

Punimet pritet të vijojnë edhe gjatë natës në mënyrë që situata të normalizohet sa më shpejt.