Arben Dulellari, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka bërë një analizë të situatës së reshjeve intensive që kanë përfshirë zonën e Maliqit dhe Korçës gjatë tre ditëve të fundit. Sipas tij, rreth 200 mm shi kanë rënë në këtë periudhë të shkurtër, që përbën 1/3 deri në 1/4 të sasisë vjetore të reshjeve për këto zona, ku mesatarja shumëvjeçare varion nga 600 deri në 800 mm.
Dulellari thekson se vitet e fundit reshjet kanë qenë të pakta dhe të shpërndara në mënyrë të çrregullt, ndërsa bora ka qenë minimale. Kjo ka sjellë tharje dhe dobësim të shumë burimeve natyrore, një tregues i qartë i ndryshimeve klimatike.
Reshjet e ditëve të fundit kanë sjellë prurje maksimale në përrenj e lumenj, duke krijuar probleme për banorët dhe veçanërisht për tokat bujqësore. Sipërfaqe të tëra, sidomos në zonën torfike, janë aktualisht të mbuluara nga uji.
Eksperti apelon që fermerët të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në tokat e mbjella me grurë dhe jonxhë, pasi qëndrimi i gjatë i ujit në parcela mund të asfiksojë bimët dhe të shkaktojë rrallim të tyre.
Ai sugjeron që të merren masa të menjëhershme për hapjen e grykave të fundkanaleve dhe pastrimin e pellgjeve me ujë, duke theksuar se niveli i ujit në kanalet dytësore dhe kryesore është aktualisht më i ulët se ai i parcelave të mbjella, ndaj kullimi është kyç.
“Kullim e vetëm kullim!” – apelon Dulellari, duke kërkuar ndërhyrje sa më të shpejtë për të shmangur dëme më të mëdha në prag të dimrit.
