“Strofka Strelcë”/ Agroturizmi familjar që po e kthen fshatin në destinacion turistik

HomeActual

“Strofka Strelcë”/ Agroturizmi familjar që po e kthen fshatin në destinacion turistik

Luljeta Katundi/Mësuesja e dashur, e qeshur dhe me përkushtim maksimal në edukimin e brezave të rinj del në pension
Dhunoi Bashkëshorten, Komisariati i Policisë Maliq, kapi dhe ndaloi një shtetas
NJOFTIM “Mbi skemën mbështetëse në bujqësi, blektori e bletari” (27 Mars – 19 Prill 2024).

Strelca, një nga fshatrat malorë më piktoreskë të zonës së Maliqit, prej vitesh njihet për natyrën e saj të paprekur dhe panoramat që ndryshojnë magjishëm në çdo stinë. I vendosur mes gjelbërimit, qetësisë dhe traditës, ky fshat ka nisur të kthehet në një destinacion të ri për vizitorët që kërkojnë një përvojë të pastër dhe autentike. E pikërisht këtu, në zemër të Strelcës, familja Peto ka hapur dyert e një agroturizmi të ngritur me shumë mund dhe përkushtim, të quajtur “Strofka Strelcë”, një projekt që synon t’i japë zonës jetë dhe mundësi të reja zhvillimi.

Në këtë vend malor, ku tradita dhe natyra bashkohen natyrshëm, agroturizmi i familjes Peto është krijuar si një investim që buron nga dashuria për fshatin dhe dëshira për ta ndarë këtë bukuri me vizitorë nga e gjithë Shqipëria, por edhe më gjerë. Pronarët tregojnë se ideja lindi nga zhvillimi i turizmit në vend, por edhe nga bindja se Strelca ka shumë për të ofruar. Edhe pse fillimet kanë qenë të vështira dhe të mbështetura në pak resurse, familja ka vazhduar të punojë hap pas hapi, duke e kthyer shtëpinë e dikurshme në një qendër pritjeje të plotë.

Në bisedën me kryefamiljarin, Olsi Peton, mësohet se projekti ka nisur me hapa të vegjël, por me shumë këmbëngulje. Ai shpjegon se gjithë çfarë është ndërtuar ka ardhur duke mësuar, duke punuar dhe duke besuar se zona meriton të promovohet. Për të, ky investim nuk është vetëm ekonomik, por edhe një mënyrë për të mbajtur gjallë fshatin dhe traditat.

“Duke parë trendin e turizmit në rritje në Shqipëri, si edhe për të parë bukuritë e zonës, na lindi një ide për të hapur diçka këtu që të ofrojmë bukurinë e fshatit. E kemi filluar me vështirësi, me shumë pak gjë, gjatë rrugës kemi ecur duke marrë eksperiencë e duke punuar në këtë punë që ka të ardhme.”

Ndërsa djali i tij, Romaldo Peto, rrëfen idenë e tij për të sjellë diçka të veçantë dhe ndryshe në Strelcë. Ai tregon se synimi nuk ishte të ngrihej një strukturë e zakonshme akomodimi, por një koncept i personalizuar që respekton natyrën e zonës. Kështu kanë lindur tre shtëpizat prej druri, të ndërtuara si kabina tradicionale, me kapacitet prej 9 deri në 12 persona, të menduara për një përvojë të qetë dhe të ngrohtë. Romaldo flet edhe për planet e së ardhmes për zgjerimin e projektit me gjashtë kabina të tjera dhe bashkëpunime me agjenci turistike, duke rritur kështu kapacitetet.

“Në fakt doja të dilja nga ajo ideja e një hoteli ose një strukture në një vend. Doja të bëja diçka ndryshe, edhe për pjesën e drurit. Kemi tre shtëpia (druri) me kapacitet prej 9 personash që mund të përshtaten deri në 12 persona. Për të ardhmen mendojmë të bëjmë edhe 6 kabina të tjera dhe të bashkëpunojmë edhe me agjencitë. Momentalisht punojmë me prenotime nga vetë njerëzit, jo me agjenci pasi duhen kapacitete më të mëdha se këto që kemi. Kemi vendosur që gjatë rrugës të shtojmë kabinat e drurit për të mos dalë nga ideja e fillimit.”

Një pjesë e rëndësishme e agroturizmit është ushqimi. Familja Peto ka vendosur që gjithçka të mbështetet në produkte lokale. Në kabina dhe në restorant vihet re kujdesi për elementet tradicionale, që nga qilimat e deri te gatimet karakteristike të zonës, ku spikat mishi në bidon, një specialitet i vjetër i Strelcës. Po ashtu produktet e bulmetit janë të gjitha të prodhuara në shtëpi ose të marra nga banorët e tjerë të fshatit, duke ofruar kështu një përvojë sa më autentike.

“Që prej akomodimit e deri tek ushqimi kemi menduar që të vazhdojmë me produkte lokale të zonës. Edhe tek kabinat ofrojmë atë tradicionalen, me elementë si qilimat që kemi shtruar, por edhe tek pjesa e ushqimit, ku kemi kryesisht mishin në bidon, që është specialitet edhe i zonës. Po ashtu edhe produktet e bulmetit që janë të gjitha produkte bio që i prodhojmë vetë ose i marrim nga banorë të tjerë të zonës. Ofrojmë Strelcën pa dalë nga profili i fshatit.”

Deri më tani, agroturizmi ka pritur vizitorë vendas dhe të huaj. Edhe pse sezonin e parë e kanë nisur në periudhë të vonë, reagimi i vizitorëve ka qenë mjaft pozitiv. Ka pasur raste kur turistët kanë rezervuar vetëm një natë dhe më pas kanë vendosur të qëndrojnë më gjatë, tërhequr nga komoditeti, ushqimi dhe natyra e bukur që i rrethon.

“Kemi patur edhe turistë të huaj, edhe turistë vendas, por kryesisht kanë qenë vendas pasi pjesa e shtëpive që u hapën kanë qenë në fund sezoni. Deri tani është diçka pozitive sepse i shohim vetë klientët që kanë lënë përshtypje pozitive dhe kjo na bën të ndihemi mirë. Kemi patur edhe nga ata klientë që kanë prenotuar vetëm për një natë dhe më pas kanë kërkuar që të qëndrojnë edhe një natë tjetër pasi u pëlqeu.”

Në një kohë kur turizmi malor është në rritje, Strelca po gjen vendin e saj në hartën turistike falë iniciativave si “Strofka Strelcë”. Me përkushtimin e familjes Peto dhe bukurinë që ofron zona, ky agroturizëm është shndërruar në një shembull të qartë se si tradita dhe sipërmarrja mund të bashkohen për të krijuar një histori suksesi. Nëse kërkoni qetësi, natyrë dhe shije të vërteta të fshatit shqiptar, Strelca është një destinacion që ja vlen të vizitohet./ CNA