Zonat e mbrojtura po kthehen në sheshe ndërtimi, shpërthen deputetja e PL Xhixho: Qeveria e incineratorëve i shërben babëzisë kriminale të oligarkëve

HomePolitics

Zonat e mbrojtura po kthehen në sheshe ndërtimi, shpërthen deputetja e PL Xhixho: Qeveria e incineratorëve i shërben babëzisë kriminale të oligarkëve

Agresioni rus/ Presidenti Begaj: Do të jemi gjithmonë në krah të Ukrainës
Rama mbledh Asamblenë e PS-së/ Zbulohet data, zbardhet axhenda, ja për çfarë do të diskutohet
Berisha: Protesta e 20 Shkurtit do të jetë ndryshe

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho para nisjes së seancës plenare i bëri apel kolegëve të saj të mazhorancës që të mos votojnë projektligjin për zonat e mbrojtura.

Deklarata e Xhixhos

Një vendim krejtësisht në dëm të interesit publik e kombëtar më detyron të jem përpara jush e të ndaj me gjithë qytetarët shqetësimin tim.

Sot dhe jo nesër, tani dhe jo më vonë, është koha që të gjithë t’i themi NDAL rrëmbimit që Qeveria e Maxhorancës së Inceneratorëve po planifikon t’u bëjë zonave të mbrojtura, pasurive të pakthyeshme të krijuara në mijëvjeçarë, që na vijnë trashëgim prej brezave.Ligji i ri i sjellë në Parlament nuk është gjë tjetër por zgjatim i ligjeve të tjerë të së njëjtës filozofi qeverisëse që frymëzohet, financohet dhe iu shërben interesave të babëzisë kriminale të një grushti oligarkësh.

Me këtë ligj, çdo zonë e mbrojtur mund të kthehet në shesh ndërtimi për t’u shndërruar në resorte, komplekse pallatesh apo biznese që të ushqejnë me pasurinë kombëtare xhepat e tyre edhe të padronëve të tyre në qeveri, në dëm të florës, faunës dhe peizazhit natyror të vendit.

Me këtë ligj, Shqipëria nuk do të ketë më pasuri natyrore të mbrojtura nga shteti. Pasojat e tij do të jenë të pakthyeshme.

E njëjta maxhorancë që dy vjet më parë i hapi ditën jeshile grabitjes së portit të Durrësit, apo që më parë shkatërroi Lagunën e Nartës me aeroportin e Vlorës që mund të ndërtohej shumë mirë diku tjetër, sjell për miratim një ligj tjetër që i hap rrugën shkatërrimit të zonave të mbrojtura, në kundërshtim të hapur me rekomandimet e BE.

Delegacioni i BE ka kërkuar sikundër edhe shoqëria civile që komisioni parlamentar të rihapë procesin e konsultimeve “në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse” për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, pas draftit të ri të dorëzuar nga qeveria që lejon investimet strategjike brenda tyre.

U bëj sot thirrje kolegëve deputetë të maxhorancës të tërheqin nga seanca ligjin dhe të hapin konsultimin publik me shoqërinë civile dhe Delegacionin e BE.

Le të dëgjojmë edhe njëherë zërin e ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe banorëve të zonave që mund të preken direkt.

Shqipëria është e të gjithëve ne, është e çdo shqiptari, ndaj Qeveria ta ndalë dorën kriminale të fshehur pas Projektligjit për Zonat e Mbrojtura i cili vetëm emrin ka të tillë.

Të gjithë duhet të bashkohemi me reagimin qytetar në protestën qe do zhvillohet pas pak para Parlamentit nën moton:

MBRONI ZONAT E MBROJTURA!