Stilian Belishta/Zboqëria – Troje të lashta me histori të gjallë

HomeActual

Stilian Belishta/Zboqëria – Troje të lashta me histori të gjallë

Maliq/Ushtroi dhunë ndaj babait të tij, arrestohet 22-Vjeçari
E Trishtë/ 19-vjeçari shqiptar humb jetën në një aksident të rëndë në Itali (Bari)
Edison Ypi: Kur e vizituam Lasgushin, ja çka i tha Kadare për Koliqin

Nga Stilian Belishta

Zona e Zboqërisë, që përfshin fshatrat Manastriec, Mëmëli, Berasi, Gribeci, Këmbëthekri, Shkoza, Tyrbja e Goçës, Babjeni, Marjani e të tjerë, është një nga trevat ku historia ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Këto toka janë tronditur nga kohët, por kurrë nuk janë mundur. Ato ruajnë me krenari kujtimet, kulturën dhe trashëgiminë e një populli të rrënjosur thellë në tokën e tij.

Kufijtë dhe peizazhi natyror

Territori i fshatit Zboq nis në lindje nga fusha e Maliqit, në të djathtë të lumit Devoll, duke u kufizuar me arat e Shkozës dhe Këmbëthekrit. Në veri kufizohet me Mëmëlin dhe tokat e Berasit, ndërsa në verilindje ndan kufi me përroin e Lakshave dhe arrin deri në përroin e Gurësit, i cili buron nga malet e Manastrecit, Kozelit dhe Gurit të Kamjes, për t’u bashkuar me Devollin tek “Vahu i Babjenit” apo fusha e Pirgut.

Në perëndim kufizohet me përroin e Gurësit dhe në jug nga lumi Devoll, përjashtuar një zonë të vogël tokash që shtrihen në krahun e majtë të lumit, nga “Uji i Qelbur” deri në Plovisht, por që i përkasin Zboqit.

Vendbanime të lashta dhe dëshmi historike

Sot, në zonën e Tyrbes së Goçës, është krijuar një lagje e re e fshatit. Banorët e Zboqit tregojnë se ky ka qenë një vendbanim i hershëm, me varret e para që ndodheshin tek “Varri i Bardhë”. Emri më i përmendur i kësaj zone është Musa Beu, për të cilin qarkullojnë rrëfime të veçanta.

Të tjera vendbanime historike janë shënuar edhe në Kisha e Micit, Xhanet, Magarazi, Vilëza dhe Gusmasi.

Pozicioni gjeografik dhe peizazhi unik

Zboqi shtrihet në një kodër rreth 1100 metra mbi nivelin e detit, i ndriçuar nga lindja deri në perëndim. Peizazhi i tij është krahasuar me një gjethe tropikale ose zemër, përshkuar nga dy “arterie” të mëdha uji dhe shumë “kapilarë” të vegjël që zbresin në luginë.

Kodrat përreth ngjajnë si të formësuara nga dora e njeriut. Në “gjerdanin” që rrethon Zboqin dallohen çukat e Malibecit, Selmanit, Zonjës, mali Kozel, çuka e Hasim Agos, çuka e Këmbëthekrit dhe çuka e Shkozës.

Përveç “gjerdanit”, “syri” i Zboqit vështron edhe “kurorën” e maleve të Gradishtës, Marjanit dhe Kozelit, me lartësi që arrijnë rreth 1400 metra mbi nivelin e detit. Në majën e Kozelit ndodhet një shkëmb i madh me një çarje në formën e kryqit – një simbol që, sipas gojëdhënave, është skalitur nga besimtarët për të tërhequr vëmendjen e udhëtarëve në degën e Via Egnatia-s.

Rrjetet antike dhe lidhjet me Ballkanin

Që në lashtësi, rrugët tregtare dhe ushtarake që përshkonin Ballkanin kanë lënë gjurmë të rëndësishme në këtë zonë. Një degë e rrugës së lashtë Via Egnatia kalonte nga Mokra, përmes Gurit të Kamjes, mbi Manastrec, tek Kulla e Seitit, në Rakitas, Kisha e Shën-Thanasit, shkëmbi i Beqos, Tyrbja e Goçës, dhe më tej në drejtim të Bickës, Gjyresit dhe Voskopoja.

Një degë tjetër lidhte Gurin e Kamjes me Podgorien, Devollin dhe Selanikun, duke e kthyer Zboqërinë në një pikë strategjike lidhjeje ndërballkanike.

Një pamje që flet vetë

Nga kodrat përreth si Vllahu i Këmbëthekrit, çuka e Berasit, Kodra e Vadhave apo fshati Goçë, Zboqi shfaqet si një panoramë mahnitëse. Kodra të rrumbullakëta të mbuluara me kultura bujqësore, pemë frutore, livadhe dhe pyje dushku, ndërthurur me bagëti dhe jetë rurale – një pasqyrë e gjallë e një fshati që jeton mes natyrës dhe historisë.