“Rikthimi i Zonjave”, dokumentari për kampet famëkeqe nga Armand Braho, konkurron në Festivalin e Filmit në Pogradec

HomeUncategorized

“Rikthimi i Zonjave”, dokumentari për kampet famëkeqe nga Armand Braho, konkurron në Festivalin e Filmit në Pogradec

Korçë – Gruaja plagos burrin, e godet me hekur në kokë
Arian Jaupllari/ Emri që bashkon të gjithë qarkun e Korçës në 11-Maj.
Dy projektligje të rëndësishme për shëndetin e bimëve dhe kafshëve miratohen në Komisionin Parlamentar

Në Pogradec po zhvillohet Festivali i Filmit dhe Kulinarisë, ku ndërmjet 50 filmave e dokumentarëve, konkurron dhe “Rikthimi i Zonjave”.

Ky dokumentar flet për jetën e grave që i mbijetuan kampeve famëkeqe në diktaturë, bazuar në rrëfimin e 90-vjeçares, Fatime Haxhillari, e cila kaloi 38 vite në internim.

Fatime (Nurçe) Haxhillari, sot 90 vjeç, ka kaluar një jetë të mundimshme në kampet e komunizmit. Vuajtjet e saj por dhe të grave të tjera, vijnë për herë të parë të rrëfyera në dokumentarin “Rikthimi i Zonjave”, i cili u shfaq premierë mbrëmjen e së premtes në kinemanë e qytetit të Pogradecit.

​Fatime Haxhillari nga Arrza ishte vetëm 13 vjeç kur u internua, në vitin 1948.

Ka kaluar 38 vite të jetës së saj sa nga një kamp në tjetrin, nga Valiasi në Kodër Kamëz, Tepelenë e deri në Plug të Lushnjes, deri sa u lirua në vitin 1986.

Në Plug u njoh me bashkëshortin, gjithashtu i internuar, Syrja Haxhillari. Sollën në jetë tre fëmijë, më e vogla Natasha, e cila u lirua në moshën 21-vjeçare.

Shkak i persekutimit ishte arratisja e vëllait të Fatimes, Nuredin Nurçe, i cili ishte diversant i shërbimeve amerikane dhe angleze dhe hyri shumë herë në Shqipëri me detyra specifike.
Të gjitha dokumentet janë mbledhur me kujdes, në arkiva, nga gazetari Armand Braho, njëherësh nipi i Fatime Haxhillarit.

Braho, tashmë me rolin e producentit, rrëfen se ideja për këtë prodhim, lindi që në fëmijëri, nga tregimet e familjarëve.

Pikërisht këto kujtime e shtynë jo vetëm të mbledhë dëshmi dhe rrëfime të të mbijetuarve por edhe të hulumtojë në arkivat e shtetit, duke u përqëndruar në dokumentet e Sigurimit të Shtetit.

Dokumentari për gratë që u bënë shembuj të rezistencës komuniste, u transmetua në kuadër të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, i cili zhvillohet për të 15-in vit radhazi në Pogradec.

Ndërsa në hollin e kinemasë u publikuan dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit dhe fotografi të ruajtura me fanatizëm nga familjet Haxhillari e Nurçe, të cilat vuajtën në kampet famëkeqe të komunizmit.