Sot, drejtësia foli: arrestimi ishte i paligjshëm. Katër policët u liruan nga akuza. Por, ndërsa ata dalin nga masa ekstreme e arrestit, një dëm tjetër tashmë është bërë i pariparueshëm — fytyrat e tyre janë ekspozuar si fajtorë, nderi i tyre është vënë në dyshim, dhe besimi në sistem është tronditur nga një vendim i nxituar, që sot njihet si “gabim i AMP-së”.
Në vend që të mbështesë efektivët e ndershëm dhe të motivojë përkushtimin e tyre, AMP zgjodhi rrugën e spektaklit. U përpoq të shfaqej “efikase”, edhe pa prova të mjaftueshme. Dhe kështu u krijua një precedent i rrezikshëm: arrestim pa bazë, një turp publik për ata që vetëm po kryenin detyrën e tyre.
Çfarë mesazhi i japim sot atyre policëve që qëndrojnë orë të tëra në postblloqe, pavarësisht motit të keq, në kufi apo rrugë? Që një gabim teknik, një procedurë e vogël, mund t’i çojë në pranga? A do të vazhdojnë të besojnë në sistem? A do të kenë guxim të marrin vendime apo do të kthehen në burokratë të frikësuar?
Ndërkaq, autori kryesor i trafikimit — drejtuesi i automjetit me drogë dhe municion — është ende në burg, i kapur falë punës së këtyre policëve që sot u liruan. E trishtë..
Por ky rast nuk është vetëm një histori individuale. Vetëm në vitet e fundit, mbi 60 policë janë proceduar dhe më pas janë shpallur të pafajshëm. Çfarë ndodh me jetën, reputacionin dhe familjet e tyre gjatë gjithë këtij procesi?
Nuk mund të ketë drejtësi me sy të mbyllur. Reforma nuk mund të bëhet duke sakrifikuar njerëzit e ndershëm. Nuk mund të luftojmë krimin duke demoralizuar policinë.
Sot katër policë u liruan, por sa të tjerë do kenë frikë nesër të bëjnë punën e tyre, nga frika se do të shndërrohen në “kokë turku”?
Dhe më e rëndësishmja: kush do të marrë përgjegjësi për arrestimin e paligjshëm? Apo edhe kjo histori do të përfundojë në harresë, ashtu si shumë të tjera më parë?