“Puls On Star” vijon zbulimin e talenteve në Bashkinë Maliq, ndalesë në Pirg
Në vazhdën e takimeve në shkollat e mesme të Bashkisë Maliq, vijon procesi i zbulimit dhe inkurajimit të talenteve të reja për spektaklin “Puls On Star”, organizuar nga Këshilli i Qarkut Korçë.
Këtë herë, ekipi u ndal në Pirg, ku u prit me energji, entuziazëm dhe pasion nga të rinjtë e shkollës. Nxënësit shfaqën talentet e tyre në fusha të ndryshme, duke dëshmuar se potenciali artistik dhe kreativ në zonë është i jashtëzakonshëm.
Gjatë kësaj vizite, pati edhe një moment të veçantë emocional, pasi u zhvillua një takim i ngrohtë me ish-mësuesen Vjollca, e cila sot drejton shkollën me përkushtim dhe profesionalizëm, duke qenë një mbështetje e fortë për të rinjtë dhe aktivitetet artistike.
“Puls On Star” synon të krijojë hapësira të reja për të rinjtë e Qarkut Korçë, duke u dhënë atyre mundësinë të shprehin talentin dhe të jenë pjesë e një skene që promovon energjinë dhe krijimtarinë rinore.
Takimet do të vijojnë edhe në shkolla të tjera të Bashkisë Maliq, në kërkim të yjeve të rinj që do të ngjiten në skenën e këtij spektakli.
