Protesta e 10 shkurtit në Tiranë, 18 të arrestuar dhe disa nën hetim

HomeSpecial

Protesta e 10 shkurtit në Tiranë, 18 të arrestuar dhe disa nën hetim

I riu nga Cërriku shkëlqen në SHBA, fiton Medalje Ari në Matematikë
Maliq zhvillohet takim antikanabis, nuk evidentohet asnjë parcelë gjatë vitit të fundit
Këshilla për jetëgjatësinë e baterisë së smartfonëve

Tiranë – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dhënë detaje mbi veprimet hetimore të kryera pas tubimit të zhvilluar më 10 shkurt 2026 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas Policisë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë arrestuar në flagrancë 18 shtetas, mes tyre edhe katër të mitur 17 vjeç. Ata akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “Goditjen për shkak të detyrës”, “Plagosjen e rëndë me dashje”, “Prishjen e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimin e pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të rendit publik”.

Po ashtu, materialet janë referuar në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar edhe disa persona të tjerë. Mes tyre, sipas Policisë, është edhe E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, i dyshuar për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”. Gjithashtu, janë proceduar edhe shtetasit B. K., K. B., L. B. dhe F. N., anëtarë të Partisë Demokratike, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Policia bën me dije se është shpallur në kërkim edhe shtetasi L. P., 41 vjeç, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, protestuesit fillimisht janë grumbulluar para godinës së Kryeministrisë dhe më pas janë zhvendosur drejt Kuvendit. Gjatë tubimit, sipas Policisë, janë hedhur lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike.

Si pasojë e incidenteve, janë dëmtuar 16 punonjës policie, të cilët kanë marrë mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.