BUJQËSIA NË KORÇË SI FAKTOR PRIMAR I ZHVILLIMIT EKONOMIK
Korça është një rajon shumë i rëndësishëm për prodhimin bujqësor në rang vendi.
Ky sektor i ekonomisë duhet të marrë vëmendje parësore dhe shumë serioze nga bashkitë e qarkut.
Procesi i negociatave të vendit me BE-në për grupkapitullin e 5-të “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, ka ecuri pozitive dhe ekipi negociator raporton rregullisht në Bruksel mbi progresin e Shqipërisë. Masat janë forcimi i kuadrit ligjor dhe përafrimit me acquis të BE-së, konsolidimi i kapaciteteve institucionale dhe funksionimi i sistemeve të financimit, monitorimit e kontrollit për prodhimin, siguria ushqimore dhe cilësia e produkteve agro-blegtorale.
Ky ndryshim i pritshëm duhet ta gjejë rajonin të gatshëm për t’u përshtatur me kërkesat e një tregu që kërkon standart cilësie dhe që ka kapacitete përthithëse të granteve nga dritaret e financimeve të huaja.
Është koha për të shtruar në diskutim modelin që e bën zhvillimin rajonal të bujqësisë vërtet konkurues. Korça është e avantazhuar gjeografikisht, ka traditë të shëndoshë pune, burime njerëzore të kualifikuara, nga fermeri tek specialistët e fushës dhe universiteti. Këta faktorë të rëndësishëm munden dhe duhet të orientojnë një organizim ndryshe duke sugjeruar, për shembull:
A duhet të ketë një profil të prodhimeve rajoni ynë apo do vijojë të prodhojë si deri sot një gamë të zgjeruar të tyre?
Cila është forma më efektive e organizimit të fermerëve, që mundëson strukturë efikase e të qëndrueshme të produkteve që konkurojnë në tregun vendas, por edhe që krijon mundësi të reja eksportimi?
“Ferma Rajonale” konsiderohet opsion rezultativ, me aksionerët e saj që janë fermerët e qarkut, si aktorët e parë dhe më kryesorë të zhvillimit rural.
Rajoni i Korçës ka një sipërfaqe totale të punueshme bujqësore prej rreth 62 mijë hektarësh, ku kultivohet një gamë e gjerë kulturash. Kultivatet kryesore janë drithërat (gruri dhe misri) me një sipërfaqe prej afërsisht 24 mijë ha, perimet (qepë, patate, fasule) me 7.600 ha dhe pemëtoret (molla, qershia, kumbulla etj.) me 3.800 ha, ku kultura më e mbjellë është molla me 2.800 ha.
Synimi duhet të jetë transformimi i sektorit nga prodhimi me rendiment tek marketimi modern, në ndryshim nga format e konsumuara të panaireve dhe festave që japin pak ose aspak rezultat.
Në Korçë para pak kohësh u nënshkrua nga aktorët institucionalë qëndrore e vendore Marrëveshja e Bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në kuadër të Projektit TOKA, me bashkitë e qarkut tonë, Universitetin e Korçës dhe atë hollandez “Wageningen”, duke hapur rrugën për një udhërrëfyes të ri bashkëpunimi për zhvillimin e bujqësisë e zonave rurale.
Modelet e suksesshme ndërkombëtare kanë fokus bujqësinë inteligjente, sigurinë ushqimore dhe forcimin e kapaciteteve në arsim e kërkim shkencor, në përputhje me standardet e BE-së.
Por si mund të ridimensionohet ky sektor jetik më konkretisht?
Përdorimi i modeleve inovative, të pilotuara nga bashkitë dhe bashkëpunimi i tyre me institucionet qëndrore, universitetin dhe fermerët, në thelb duhet të synojë fuqizimin në qelizë të prodhimit, pa fragmentim e duke aplikuar një formulë rajonale të shitjes në treg.
Ndërtimi i një bujqësie të testuar në vende të tjera, që e ekonomizon koston e prodhimit nëpërmjet bashkimit të burimeve është baza e këtij transformimi, së pari në mendësi e më pas edhe në vullnet konkret institucional bashkiak, për të aplikuar praktika bashkëkohore e produktive.
Nëse “Ferma Rajonale” do të konsiderohej projekt strategjik, Korça do krijonte modelin multifunksional për edukim, zbatim skemash efikase në agroturizm dhe demonstrim idesh e teknikash moderne të bujqësisë si në realitetet e zhvilluara. Nuk na duhet të shpikim, por thjesht të kemi vullnet të palëkundur drejt konkretizimit të atyre modeleve që na përshtaten.
Kjo kërkon udhëheqje të vendosur nga drejtuesit e bashkive dhe strukturat vendore me ekspertizë të fushës, që padyshim meritojnë incentivim për ta administruar teknikisht procesin.
Fermat bujqësore dhe blegtorale në qarkun e Korçës duhet të zvogëlohen në numër, për t’u rritur në potencial nëpërmjet instrumentave të bashkimit. Kjo do e lehtësonte mbështetjen nga skema kombëtare dhe buxhetet vendore. Këto të fundit, pas ndryshimeve të pritshme nga reforma e re administrative territoriale, do të jenë edhe më të mëdha. Aty duhet të përfshihen zëra subvencionuese për investime në skema bashkimi, mekanizimi dhe përmirësimi të cilësisë së prodhimit, kundrejt kushteve strikte të mbikqyrjes.
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë duhet të ofrojë asistencë për ata fermerë që zgjedhin më së pari bashkimin, adoptimin e metodave inovative të prodhimit, testimin e kulturave të reja, që rritin rendimentit dhe cilësinë e prodhimit.
Përfshirja e të rinjve është shumë kyçe, me studentë të fushës që gjejnë arsye për të mos u larguar apo fermerë të rinj të lidhur me institucione akademike dhe organizma vendase e të huaja që ofrojnë ekspertizë të kualifikuar.
Vlerësimi i mundësive për hapje në tregje të reja, duhet projektuar me vullnet konkret falë një rrjetëzimi kontaktesh në rajonin e Ballkanit, Europës apo edhe më gjerë. Por përpara së të mbërrijmë këtu, duhet garantuar rezerva sasiore e cilësore të produkteve të trevës sonë.
Bashkëpunimi publik‑privat është instrumenti efikas që forcon besimin se mund t’ia dalim të jemi bashkëaksionerë të suksesit që meriton Korça dhe rajoni, për të patur burim të ardhurash dhe premisa afatgjata për ekonomi të qëndrueshme vendore. Ky zhvillim do ta bënte edhe turizmin shumë më tërheqës.
Korça duhet të paraprijë në këtë fushë.
