Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë ka goditur një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi, duke proceduar penalisht një 67-vjeçar, banues në Korçë.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll një automjet në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të PKK-së.
Gjatë kontrollit fizik ndaj drejtuesit të mjetit, shtetasit Gj. F., 67 vjeç, u konstatuan të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë, të padeklaruara sipas legjislacionit në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e DVKM Korçë ushtruan kontroll edhe në banesën e këtij shtetasi, ku gjetën dhe sekuestruan një shumë tjetër prej 35 000 eurosh. Të gjitha shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F. u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
