Katër vjet ky proces për Muzeun Historik Kombëtar nuk është aspak i gjatë. Ka kaq shumë punë muzeu për të bërë brenda dhe janë kaq delikate, që periudha 4 vjeçare nuk është ndonjë gjë që nuk shkon. Ata që flasin se një ndërhyrje e tillë katër vjeçare është e gjatë nuk janë specialistë…
Muzeu Historik Kombëtar do të ketë një projekt restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi. Një projekt që sipas lajmërimit që bëri MHK disa ditë më parë do të sjellë dhe mbylljen e institucionit për katër vite gjatë zbatimit të tij. Por prof. ass. dr. Frederik Stamati shprehet se problematikat që ka sot Muzeu Historik Kombëtar janë të shumta dhe sipas tij janë ato që detyruan shtetin të marrë masa për ndërhyrjet e domosdoshme që duhen. Në intervistën për gazetën “SOT” prof. ass. dr. Frederik Stamati thotë se një proces katër vjeçar për zbatimin e projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë” nuk është i gjatë. Përballë problemeve që ka sot MHK, i cili u inaugurua në 28 tetor të vitit 1981, Frederik Stamati restaurator dhe studiues thotë se që muzeu të kthehet në nivelin bashkëkohor të sotëm ku ka arritur bota duhet patjetër që të aplikohet teknologjia e re, jo vetëm duke zëvendësuar atë që është amortizuar, por duke aplikuar edhe teknologji të reja që sigurojnë mbrojtjen e objekteve edhe gjatë ekspozimit, por dhe në ruajtje. Sipas tij është e domosdoshme që MHK të kalonte në këtë fazë të rikonceptimit dhe të rinovimit të tij.
– Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Në gjendjen që është sot muzeu, çfarë problematikash janë sipas jush?
Problematikat që ka sot Muzeu Historik Kombëtar janë të shumta dhe ato që detyruan shtetin të marrë masa për ndërhyrjet e domosdoshme, që duhen për funksionimin normal të një muzeumi.
-Muzeu Historik Kombëtar do të ketë një projekt restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi. Ju si pjesë e specialistëve që keni pjesën tuaj te kjo ndërhyrje, çfarë mund të na thoni më shumë mbi teknologjinë e ruajtjes së objekteve?
Muzeu duhet kuptuar në disa drejtime, në disa dimensione. Nuk është thjesht një sallë ekspozimi e objekteve që ai ka në ruajtje për të shprehur zhvillimin e historisë, por njëkohësisht funksionon si një makinë vigane, e cila ruan koleksionet që ajo ka që të mos prishen. Sipas UNESCO-s tre janë detyrat e një muzeu: 1. Të propagandojë nga ana historike materialet që ka; 2. Të pasurojë koleksionet e veta me objekte me vlera historike; 3. Të ruajë nga prishja, pra të konservojë apo restaurojë objektet që ka.
/gazeta_sot