Parku kombëtar i Butrintit është një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, ku administrimi i tij ka sjellë shumë reagime këtë kohë. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore shprehet se është në një situatë të rëndë sa i takon administrimit. “Nga Raporti i UNESCO/ICOMOS mund të mësohet qartësisht se si Parku Kombëtar i Butrintit, një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, është në një situatë të rëndë për sa i përket administrimit, restaurimeve, mbrojtjes legjislative, përdorimit të fondeve për mirëmbajtje dhe kthimin e tij në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe zhvillimit kulturor të zonës”, thuhet nga Forumi në reagimin në rrjete sociale.
Sipas Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore neglizhenca ndaj kësaj qendre prej institucionit që ka detyrë ligjore për ta administruar lexohet në çdo faqe të raportit. “Për të mbuluar paaftësinë dhe për ta përdorur Butrintin si një plaçkë për interesa politike, Ministria e Kulturës krijoi një farsë me emrin Plan Menaxhimi dhe duke ndryshuar Ligjin e Trashëgimisë nxitoi për t’ia dhënë qytetin antik një fondacioni privat të huaj. Raporti i UNESCO-s është shumë i qartë. Qeveria shqiptare ka dështuar në administrimin e Pasurisë Botërore të UNESCO-s dhe ka kërcënuar seriozisht identitetin e saj, duke lejuar ndërtime në territorin e zonave të mbrojtura. Për këto dëme të rënda duhet të ketë përgjegjës. Ministria e Kulturës këto 10 vjet është drejtuar nga dy emra: Mirela Kumbaro dhe Elva Margariti”, thuhet nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Edhe më parë në deklarimet e Forumit janë pohuar problemet në lidhje me menaxhimin e parkut të Butrintit.
/gazeta_sot