Nëse doni një arsye për të protestuar, shikoni si trajtohet punëtori shqiptar
Ka kaluar më shumë se një muaj që nga reagimi i parë kundër investimit të shumëpërfolur në Zvërnec. Ajo që nisi si një kundërshtim për pronat, më pas mori ngjyrime ambientaliste dhe, me kalimin e ditëve, u shndërrua në një protestë me kërkesa politike, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë e, në disa raste, edhe ndëshkimin e figurave kryesore të politikës shqiptare.
Protesta është një e drejtë e çdo qytetari të lirë. Madje, është një shenjë se një shoqëri është ende gjallë dhe nuk pranon të pajtohet me padrejtësinë. Kur qytetarët kërkojnë llogari, demokracia forcohet.
Por, nëse do të duhej të zgjidhnim një kauzë që prek çdo ditë jetën e qindra mijëra shqiptarëve, do të ishte mënyra se si trajtohen punonjësit në sektorin privat.
Çdo mëngjes, mijëra njerëz ngrihen herët, lënë familjet e tyre dhe shkojnë në punë me shpresën se do të sigurojnë një jetë më të mirë. Shumica nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë vetëm atë që u takon: të respektohen, të paguhen ndershmërisht dhe të trajtohen me dinjitet.
Por realiteti, në jo pak raste, është krejt tjetër.
Ka njerëz që punojnë 10 apo 12 orë në ditë dhe paguhen vetëm për tetë.
Ka punonjës që detyrohen të bëjnë punë që nuk kanë qenë kurrë pjesë e marrëveshjes së tyre.
Ka gra që përballen me presion ose humbin vendin e punës në periudhën e shtatzënisë apo gjatë lejes së lindjes, edhe pse ligji i mbron.
Ka punonjës që punojnë fundjavave dhe ditëve të festave pa marrë pagesën shtesë që u garanton ligji.
Ka paga që deklarohen minimale, ndërsa pjesa tjetër jepet “në dorë”, duke u mohuar njerëzve pensionin, sigurimet dhe të ardhmen e tyre.
Ka edhe nga ata që detyrohen të kthejnë një pjesë të pagës së tërhequr në bankë.
Ka familje që presin me ditë, madje me javë, pagën me të cilën duhet të paguajnë qiranë, kredinë apo ushqimin e fëmijëve.
Ka ende punëtorë në të zezë.
Ka njerëz që heshtin, jo sepse nuk kanë të drejtë, por sepse kanë frikë. Frikë se një fjalë e vetme mund t’u kushtojë vendin e punës.
Ka edhe nga ata që punojnë çdo ditë në kushte të pasigurta, duke rrezikuar shëndetin, e ndonjëherë edhe jetën.
Dhe mbi të gjitha, ka raste kur ligji ekziston, por nuk zbatohet me të njëjtën forcë për të gjithë.
Këto janë probleme që prekin mijëra familje shqiptare. Janë një nga arsyet pse shumë të rinj zgjedhin të largohen nga vendi, pse humbet besimi te institucionet dhe pse puna, në vend që të jetë burim dinjiteti, shpesh kthehet në burim pasigurie.
Ndoshta ka ardhur koha që të flasim më shumë për njeriun që zgjohet në pesë të mëngjesit për të fituar bukën e familjes së tij. Për njeriun që mban në këmbë ekonominë e këtij vendi, por që shpesh mbetet pa zë.
Sepse një shoqëri nuk bëhet më e drejtë vetëm duke debatuar për politikën. Ajo bëhet më e drejtë kur mbron të drejtën e çdo njeriu për të punuar me dinjitet, për t’u paguar me drejtësi dhe për t’u respektuar si qenie njerëzore. Dinjiteti i punëtorit nuk është privilegj, është një e drejtë.
Ndoshta, kjo është protesta që Shqipërisë i duhet më shumë.
L.M
