Nga Nertil Jole
Kisha disa muaj pa qenë në Shkodër. Teksa ecja rrugëve të saj natyrshëm po mendoja disa nga ngjashmëritë e dallimet me Korçën. Sigurisht që kanë të përbashkëta, por edhe shumë veçori që i dallojnë.
Më tërhoqi vëmendjen prania e dukshme e të rinjve, ndryshe nga Korça. Ndoshta konstatimi im mund të mos jetë aq i saktë, por sidoqoftë qëllimi i këtyre radhëve nuk është krahasimi.
Korça mbetet një realitet vështirë i krahasueshëm me qytete të tjera në Shqipëri, në shumë aspekte, por dëshira për ta parë rininë e saj sa më të realizuar dhe aktive është arsyeja që më ngacmoi këtë reflektim.
Në një qytet ku mungon energjia e gjallë e të rinjve, edhe bukuria e tij mpaket. Nuk mendoj se arsyeja lidhet vetëm me statistikat e popullsisë urbane dhe rurale. Tendencat demografike në ulje, sipas censusit më të fundit, dhe trendet e lëvizjes së të rinjve janë fenomene që kanë prekur çdo shoqëri, nga ku as komunitetet tona nuk bëjnë përjashtim. Sfida e emigrimit apo largimet nga qyteti përmbajnë në vetvete njëkohësisht një nevojë dhe një mundësi për të njohur më mirë botën, veten dhe vendin e tyre.
Fuqia e të rinjve qëndron te konsistenca për të kërkuar më shumë nga vetja në çdo realitet e në çdo kohë, së pari në drejtim të edukimit dhe aftësimit, më pas në ndërtimin e karrierës e pse jo, edhe në angazhimin aktiv në jetën publike.
Të rinjtë e sotëm kanë më shumë konkurrencë se brezat paraardhës, duke mos e gjetur lehtë rrugën e suksesit, siç kanë njëherazi edhe shumë më shumë hapësira se dje për të arritur sukses më të shpejtë.
Këto dy premisa antagoniste duket se reflektojnë sfidat e rinisë në përgjithësi. Të rinjtë jetojnë në një botë të turbulluar nga krizat dhe kjo duhet vlerësuar shumë seriozisht nga të gjithë aktorët, për t’i përkrahur maksimalisht.
Ndërkohë, nuk mund të mos i referohem edhe interesit të tyre për t’u përfshirë në dinamikën e aktualitetit ku jetojnë, studiojnë dhe argëtohen, gjë që nuk është ushtrim i thjeshtë. Bëhet më e thjeshtë atëherë kur është një zgjedhje e qartë.
Roli i tyre proaktiv mendoj se kalitet gjatë formimit, që plotësohet dhe mentorohet nga familja, shkolla, universiteti, shoqëria dhe ekosistemi në tërësi. Ata duhen trajtuar me përparësi. Këtu, veç prindërve që gjithmonë përpiqen për më të mirën, kam parasysh mjedisin e gjerë socio-edukativ, që u krijon kushte integruese dhe i imunizon nga “viruset” që mund t’u infektojnë personalitetin dhe karakterin.
Në vlerësimin tim, politika lokale shpesh nuk arrin ta trajtojë rininë si zë të mirëfilltë në vendimmarrje. Më shumë se sa si partner, ajo e sheh si prani që i shton ngjyrë fushatave. Shpesh herë politika lokale ka një efekt të drejtpërdrejtë, pasi ndikon që në moshë të re kur ata e forcojnë ose e dobësojnë antikonformizmin që u duhet në jetë.
Ndërkohë që kjo politikë duhet të krijonte qartësi më të madhe për të dalluar të bardhën nga e zeza, grinë nga e bardha, integritetin nga e kundërta, argumentin nga mungesa e tij, të ardhmen nga e shkuara dhe, për rrjedhojë, të renë nga e vjetra (jo në moshë, por në model).
Formimi i shëndoshë i personalitetit dhe karakterit të tyre i mbron të rinjtë nga “rrathët viciozë”. Me dritën e talentit dhe meritës së tyre, ata mund të përballojnë më mirë pengesat dhe vështirësitë që do iu paraqiten.
Intrigat, xhelozitë, servilizmat dhe inferioritetet e natyrave njerëzore që do hasin në udhën e tyre të jetës, janë eksperienca shumë domethënëse që do i ndihmojnë të zgjojnë potencialin e kurajos për të guxuar. Gjithmonë. Kjo i “armatos” për të ndikuar në shoqëri me energjinë rinore, kulturën, formimin dhe kontrastin e fortë që i bëjnë “status quo”-së.
Mund të ndodhë që politika lokale vesh edhe xhaketën e politikës kombëtare, duke u shfaqur si më e “pushtetshme” kundrejt të rinjve që manifestojnë karakter të fortë për të drejtën, të mirën dhe pritshmëritë e kohës.
Ndaj, të rinjtë duhen mbështetur fuqimisht të bëhen pjesë e kulturës së ndryshimeve për progres cilësor, përpjekjeve me dobi komunitare, punës së ndershme si model udhërrëfyes, projekteve me frymë solidare e bashkëkohore dhe kontributit që gërsheton eksperiencën me gjakun e ri. Sigurisht, për qëllime me interes të përbashkët, si një aleancë e fortë dhe e vazhdueshme për progresin e pashmangshëm.
Të rinjtë pa politikën mund të rrezikojnë të mbeten zëra të heshtur për vendimet që i prekin më shumë. Si rrjedhojë, rruga për të maksimizuar interesat e tyre nuk është indiferentizmi, por përfshirja, mendimi kritik dhe fuqia komunikuese, duke përdorur platformat që teknologjia sot ua mundëson.
Kështu, ata nuk mbeten thjesht konsumatorë të jashtëm të politikës, duke lejuar “disa” të kenë në dorë fatin e tyre, por, falë angazhimit direkt apo indirekt në jetën publike dhe politike, mund të shënjojnë arritje domethënëse për veten dhe më shumë progres e zhvillim për Korçën tonë.
