Shërbimi veterinar ka konfirmuar rastin e parë të murtajës së deleve dhe dhive (PPR – Peste des Petits Ruminants) në fshatin Shkozë të Bashkisë Maliq.
Pas kryerjes së analizave laboratorike, u evidentua një tufë e infektuar, çka solli nisjen e menjëhershme të procesit të asgjësimit të 190 krerëve, ndërsa 20 të tjera kanë ngordhur.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, ku nuk mund të depërtojnë mjetet e transportit, autoritetet po kryejnë groposjen e kafshëve të infektuara në një zonë të kontrolluar dhe të mbikëqyrur nga specialistët.
Dyshohet se përhapja e virusit ka ardhur si pasojë e futjes së disa dhive të reja në tufë, të cilat ishin blerë nga një zonë tjetër, duke sjellë rrezikun e infeksionit në tufën ekzistuese.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe kryetari i Bashkisë Maliq, z. Gezim Topçiu, i cili deklaroi se është ngritur një task-forcë për menaxhimin e situatës, në bashkëpunim me shërbimin veterinar dhe Ministrinë e Bujqësisë, me qëllim monitorimin dhe mbështetjen e fermerëve të prekur.
“Po bëjmë gjithçka për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të garantuar sigurinë e tufave në zonë. Në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të synojmë edhe mbështetjen financiare për fermerët e dëmtuar,” u shpreh z. Topçiu.
Aktualisht, janë zgjeruar kontrollet në një rreze prej 10 kilometrash nga zona e infeksionit. Megjithëse Shkoza është një fshat me numër të lartë tufash delesh, deri më tani nuk ka indikacione për raste të tjera të PPR-së.
Autoritetet bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të lëvizjes së bagëtive nga dhe drejt zonës, deri në një urdhër të dytë.