Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka hequr aksesin në informimet e fshehta të inteligjencës aemrikane ish-presidentit Joe Biden, ish-zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton.
“Kam vendosur se nuk është më në interesin kombëtar që individët e mëposhtëm të kenë akses në informacionin e klasifikuar,” tha Trump, ku përfshihej edhe ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Lista e presidentit amerikan përfshin gjithashtu ish-Përfaqësuesen Republikane Liz Cheney, një kritike e ashpër e Trumpit, pastaj ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, si dhe Fiona Hill, një eksperte për Rusinë, e cila ishte në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të tij të parë.
Ish-presidentët e SHBA tradicionalisht kanë marrë informime të inteligjencës në mënyrë që të mund të këshillojnë presidentët aktualë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.
Në vitin 2021, Biden revokoi lejen e sigurisë për Trump, i cili ishte gjithashtu një ish-president në atë kohë.