Takim në Libonik për luftën kundër narkotikëve, policia kërkon bashkëpunim me komunitetin
Libonik – Oficerët e Sektorit të Krimeve në Komisariati i Policisë Maliq kanë zhvilluar një takim informues me banorë, kryepleq dhe përfaqësues të njësisë administrative Libonik, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e policisë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin, si një element kyç për evidentimin në kohë të rasteve të kultivimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike. Ata apeluan për angazhim qytetar dhe reagim të menjëhershëm në rast të konstatimit të veprimtarive të paligjshme.
Sipas burimeve zyrtare, rritja e ndërgjegjësimit dhe përfshirja aktive e banorëve konsiderohet thelbësore për të parandaluar përhapjen e këtij fenomeni dhe për të garantuar sigurinë në zonë.
Nga ana e tyre, banorët dhe përfaqësuesit vendorë shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me strukturat e rendit, duke konfirmuar mbështetjen për çdo nismë që synon forcimin e rendit dhe qetësisë publike në komunitet.
