Qyteti i Maliqi ndodhet 13 km larg qytetit të Korçës, në juglindje të Shqipërisë. Sipërfaqja e përgjithshme është mbi 656.34 km², me popullsi e cila arrin në 7696 banorë. Emri antik i qytetit mendohet të jetë qyteti Koragos, duke u nisur nga emri i tij që në greqishten e vjetër do të thotë korb, Hija e Korbit. Maliqi është një zonë e rëndësishme arkeologjike ndër të vetmet në Shqipëri për periudhën e paleolitit të hershëm. Nga gërmimet arkeologjike aty janë gjetur ndërtesat palafite, ndërtesa me drurë mbi ujë si dhe shumë sende të rëndësishme me vlerë arkeologjike. Dallohen muret me gurë të mëdhenj që rrethonin pjesën më të lartë të kodrës, e cila kontrollonte grykën e Devollit, ku kalonte rruga natyrore që lidhte bregdetin e Ilirisë me Maqedoninë. Nga gjetjet e rëndësishme evidentohet një thesar prej 618 monedhash argjendi i gjetur rastësisht në vitin 1982 dhe që ruhet në Muzeun Arkeologjik të Tiranës. Dy pika të tjera arkeologjike pranë tij janë dy kodrat e Gradishtës si dhe të Hijes së Korbit të cilat në lashtësi kanë qenë dy qytete të hershme në mbretërinë e parë ilire. Relievi është fushor-kodrinor në pjesën e qytetit dhe kodrinor-malor në fshatra. Pjesët më të larta në territor janë Mali i Ariut me 1379 m, në Kolanec dhe Maja e Mustaqit me 1547 m, në territorin e Gjyrasit. Bota bimore e Maliqit është e pasur me: pyje dushku, gështenjë dhe me disa drurë të rrallë si: pisha e zezë, rrobulli etj. Qyteti ka lule dekorative dhe shumë bimë mjekësore si: trëndafili i egërr, dëllinja e zezë, dëllinj e kuqe, sherebela dhe drurët frutorë. Në perëndim të qytetit është pylli i famshëm i Krastafilakut, në të cilin bredhat krehin lezetshëm flokët erës. Për sa i përket faunës, përhapje të gjerë ka: dhelpra, lepuri i egërr, ujku, thëllëza e malit, mëllënja etj. Qyteti i Maliqit është zhvilluar mbi bazën e njëplani urbanistik të tipit rus dhe ka një moshë të re mbi 50 vjeçare, i ngritur pas tharjes së kënetës me të njëjtin emër. Bujqësia dhe blegtoria janë bazat e ekonomisë për qytetin e Maliqit. Nga mesi i viteve 1950 u vendos në punë kombinati i sheqerit që punësoi më shumë se gjysmën e popullsisë së asaj kohe. Në kompleksin e kombinatit prodhohej alkool, vodkë si dhe niseshte. Pjesë e tij ishte dhe TEC-i i cili furnizonte me energji qytetin dhe një pjesë të rrethinave përreth. Maliqi karakterizohet si një qytet i vogël, i thjeshtë, i bukur dhe plot me gjallëri. Menjëherë të bie në sy arkitektura ruse, stili i shtëpive njëkatëshe, i linjëzuar me trotuare nga të dyja anët. Maliqi mbetet për tu vizituar në çdo periudhë të vitit, por në dimër ai kthehet në magji, duke u mbuluar i tëri nën petkun e bardhë të dëborës