Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar materiale në Prokurori dhe ka nisur procedime penale për disa shtetas, për vepra të ndryshme penale në territorin e qarkut.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Korçë kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka filluar procedimi penal për shtetasit:
- O. B., 45 vjeç, banues në fshatin Kuç i Zi, Korçë, i dyshuar për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtjeje;
- L. R., 66 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar se ka kryer veprime të turpshme dhe ka kanosur me thikë një 31-vjeçare në dyqanin e saj.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë referuar materiale në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për:
- D. Xh., 30 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, i kapur në aksin rrugor “Pogradec–Korçë”, pranë fshatit Gështenjas, duke transportuar me kamionçinë një sasi lënde drusore pa dokumentacion përkatës. Lënda drusore dhe mjeti janë sekuestruar si prova materiale;
- A. Gj., 25 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lokalin e tij, në lagjen nr. 5, dyshohet se është konfliktuar fizikisht me shtetasin R. M.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë kanë referuar materiale në Prokurori dhe kanë nisur procedim penal për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” ndaj shtetasit A. G., 63 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, ai dyshohet se në një pronë të përbashkët ka prerë disa trungje lisash dhe ka instaluar kamera sigurie, duke cenuar privatësinë e bashkëpronarëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
