Problematikat në aktivitetin e përditshëm dhe menaxhimi i pasurive të jashtëzakonshme që ka Biblioteka Kombëtare u diskutuan në takimin e anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik me drejtues të këtij institucioni. Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka dhe anëtarë të komisionit, zhvilluan një vizitë monitoruese në Bibliotekën Kombëtare ku u pritën në takim nga drejtori Piro Misha. Gjatë takimit anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ngritën disa pyetje ndaj drejtuesit të Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, për tu njohur më nga afër mbi sfidat, problematikat, aktivitetin e përditshëm dhe menaxhimin e pasurive të jashtëzakonshme që ka Biblioteka Kombëtare. Drejtori i bibliotekës Piro Misha gjatë fjalës së tij u shpreh se ka disa problematika, ku përmendi nevojën për hapësira më të mëdha për publikun dhe fonde investimesh. Gjithashtu Misha u shpreh se janë parashikuar disa projekte për Bibliotekën Kombëtare. “Të rinjtë janë të detyruar të blejnë libra. Një bibliotekë e qytetit të Tiranës sot është një domosdoshmëri. Projektet janë, por duhet të bëhen realitet. Kemi nevojë për salla të mëdha, kemi plot sfida dhe problematika. Kemi nevojë për një fushatë për pasuritë, që ka Biblioteka Kombëtare. Parlamenti mund të bëjë që qytetarët të ndërgjegjësohen”, u shpreh Misha. Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik Flutura Açka, zëvendëskryetarja e komisionit Evis Kushi dhe deputetët anëtarë të komisionit shprehën gatishmërinë për të mbështetur fushatën për Bibliotekën Kombëtare dhe projektet për zhvillimin e saj të mëtejshëm. Në përfundim të bashkëbisedimit, anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vizituan ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
/gazeta_sot