Paradoksi i tregut të banesave në Shqipëri:
U bënë tashmë disa vite, që kur në vendin tonë filloi një rritje e çmimeve në tregun imobiliar, e në veçanti në atë të objekteve të banimit!
Gjatë kësaj kohe banesat në pjesën më të madhe të territorit patën dyfish, e në disa raste edhe trefish rritje në çmimet e shitjes. Fillimisht kjo u argumentua si pasojë e rritjes së kostove për ndërtim, e me kalimin e kohës u pa se kjo nuk ishte arsyeja e vetme e këtij ndryshimi por, ” një dorë e fshehtë” që lëviz gurët nën “rrogoz”, bëri që për shqiptarin e mesëm, blerja e një banese të jetë mjaft e vështirë e për të mos thënë e pa mundur! Flitet për pastrim parash, për të huaj që blenë banesa në “tokën e premtuar”, flitet për një kërkesë të pa ngopur nga tregu vendas, e ndërkohë që së fundmi flitet edhe për statistika zyrtare, ku një përqindje e madhe e banesave në rang vendi janë bosh, e pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Tiranë ” aty ku cmimet janë më të larta”! Si për ironi ka një bum ndërtimesh për banim, një bum çmimesh, një bum blerjesh e një bum familjesh të reja të pa streha që me zor e gjejne një banesë me qira, duke shpenzuar kështu një pjesë të mirë të të ardhurave për të paguar një strehim të pa qëndrueshëm. Por çfarë ndodh në të vërtetë, çfarë është ky paradoks, pse ka kaq shumë banesa bosh, pse ka kaq shumë ndërtime, ndërkohë nga ana tjetër ka çmime kaq të larta dhe familje që nuk i afrohen dot blerjes së tyre?! Për të mos mbetur mbrapa edhe qiratë janë rritur me të njëjtin trend, me dyfish, shpesh edhe me trefish të çmimeve që kanë qënë përpara fillimit të rritjes!
Nuk dua të hyj në faktorin ‘Pastrim Parash’ .. pasi kjo është një çështje që i takon organeve ligjzbatuese, por do prek vetëm ato faktorë që i shohim të gjithë, çdo ditë, sapo hapim telefonin apo edhe në rrugët e qytetit, sepse ata tashmë janë bërë si kjoskat që moti, në rrugët e qytetit sheh zyra që vëç shtohen, e në rrjetet sociale janë bërë si ato ferrat që të ngjiten pas rrobave të leshta! Shqipëria në fakt ka patur nevojë për një treg imobiliar të mirëfilltë dhe ai në vitet e fundit ka lulëzuar kaq shumë por vetëm i mirëfilltë dhe formal nuk mund të quhet. Para shumë vitesh quheshin Sekserë ndërsa sot quhen agjentë imobiliarë, mbinë kudo, hyjnë kudo, shohin njoftime shitjesh apo banesa bosh dhe ju qasen pronarëve për t’i marrë në patronazh e për t’i hedhur në treg. E duke qënë se tregu mungon atëherë blerësi është i detyruar që, për të gjetur një pronë të kontaktojë me sekserët modernë, që jo vetëm zotërojnë tregun por mund të themi me plot gojë që, ata janë vetë tregu.
Kur them vetë tregu, kjo nuk është një metaforë, por një realitet, pasi Sekserët modernë tashmë janë ata që marrin në patronazh pronat, ata vendosin çmimet dhe kanë arritur deri atje sa marrin rolin e shitësit duke mos lejuar kontaktin e klientit me pronarin e banesës.
Ky tashmë është kthyer në fenomen në gjithë Shqipërinë, jashtë çdo lloj kontrolli, i lënë i lirë të veprojë dhe të diktojë tregun, çmimin e shitjes apo edhe qiratë e banesave. E futja e një sekseri në mes të shitësit dhe blerësit bën që çmimi të rritet në mënyrë artificiale dhe tregu të marrë një deformim të tillë që askush nuk po merr iniciativën t’a futë në shina dhe t’a kthejë në realitet!
Nuk kam asgjë me ndërmjetesimin në shit-blerje as me agjentët imobiliarë, por për vendosjen e një standarti, ku të ngrihet një treg i formalizuar ku askush nuk mundet që askujt “t’i shesë sapunin për djathë”!
L.M!