NOSTALGJI/KËNETA E MALIQIT, DIKUR…

HomeActual

NOSTALGJI/KËNETA E MALIQIT, DIKUR…

5 shtator 1945, dokumenti tronditës/Kur dekorohej Aleksandër Rankoviç, vrasësi më madh i shqiptarëve në Kosovë
Korçë/Autori i dyshuar i krimit, pasi ka qëlluar 40-vjeçarin, dyshohet se është vetëvrarë me armën e krimit.
Procedohet 51-vjeçari, ka prerë një sasi drush në mënyrë të kundërligjshme.


Nga Stilian Belishta


Për të shumë arsye thelbësore, janë të shumtë ata banorë që kujtojnë me nostalgji, kohën kur fusha e Maliqit ishte kënetë. Dikush mund të mendojë se nga një vend kënetë nuk mund të prodhosh asgjë dhe gjithashtu nuk mund të sigurosh të ardhura, por e vërteta është ndryshe. Këneta e Maliqit, kishte një infrastrukturë të ngritur enkas për gjahun, për të apasionuarit pas këtij sporti, për vizitorët dhe për turistët që vinin nga vende të tjera dhe që atëherë ishin të shumtë. Përgjatë kënetës gjendeshin lokale dhe restorante me mish rose, ngjale, krapi, verë dhe pije nga më të mirat. Gjithashtu, mund të gjuaje kafshë të egra, mund të bëje biznes me lundrat, të cilat u jepeshin në dispozicion vizitorëve, qoftë për të lundrim, qoftë për gjah. Vetëm rosa, këneta e Maliqit numëronte 12 lloje, por nuk mungonte as thëllëza e liqenit as kastori, as kau i kënetës, as derri i egër dhe as kafshë e shpendë të tjerë. Banorët e qyteteve shqiptare por edhe nga vende të huaja ishin të shumtë që frekuentonin kënetën e Maliqit, madje edhe nga Franca, Gjermania e gjetkë. Gjithsesi, për të mësuar më shumë se çfarë ndodhte konkretisht në kohën, kur ekzistonte këneta e Maliqit, ne po sjellim një përshkrim të vitit 1937.

KËNETA E MALIQIT, DIKUR…

Liqeni i Maliqit përbëhet prej 60.000 dynymësh; 2/3 janë tokë e plehëruar shumë mirë dhe një 1/3 gjendet nga ana e fshatrave Zvirinë- Sovjan. Maliqi është në ujë. Në liqen ka ngjala, krap, vitra, një farë kastori dhe në kënetë dhelpra, ujq derra etj.. Në këtë kënetë gjenden pata prej të vendit të mëdha, të zgjuara shumë, të dëshiruara dhe rosa, ndofta më tepër se 12 lloje, nga të cilat pëlqehet rosa e vendit, si më e madhe, me shijë, më e lehtë për t’u vrarë. Një ditë shkuam për rosa në Sovjan. Shoqëria përbëhej prej 5 vetash, shumicë e të cilëve gjahtarë të huaj dhe të gjithë vemë për të parën herë. Kur arrimë atje, pa gdhirë, pamë një dritë në një dyqan; me të qëndruar automobili, i zoti i dyqanit zoti. F.S., doli dhe na ftoi të hynim në dyqan se kishte zjarr të mirë. Pyetja e pare, ishte: Ku do të gjejmë lundra për të hyrë në liqen? Zoti F.S., thotë: Mos bëji merak, posa ardhtë këtu, tani është puna jonë. Pasi na gostiti me kafe, zotnia doli përjashta dhe thirri një zotni tjetër me emrin B., i cili me gjithë qejf dhe plotë mirësi na bëri lehtësitë e duhura. Ende është herët, por lundrarët, (zotërit e lundrave), ardhë; dhe ata përpara dhe ne pas, nëpër ullishta plot baltë, duallmë në anën e liqenit. Aty i përshëndoshëm disa rosa që na shkuan mbi krye, me një batare. Lundrat janë një farë govate të gjata, primitive të ngara me një lopatë dhe marrin dy veta. Në vend të fronit na shtruan një krah me barishta. Zumë vend dhe muarrëm drejtime të ndryshme.

KËTU KA ROSA SA TË DUASH

Lundra ime bëri në të mëngjër, në anën e liqenit. Ky, një burrë i ri, plot gjallëri dhe shumë merak për gjah, më thotë: Do të të shpie or zot në një vend ku ka rosa me barrë. Po hyjmë nëpër kallamat, aty-atje ka pellgje. Ndodhemi përpara një llomi, ku lundrari qëndron lundrën dhe më pëshpërit: “Përpara nesh është një rosë!” I shtiva një saçmë në kokë dhe e mbaroj rosën. Lundrari kërceu nga gëzimi për këtë kismet të madh. Nuk vlen një rosë baras me një xhevahir? Besa po. Se lundrarët tanë vrihen në fytyrë po të na vejë fisheku bosh. Me shumë ngadalë dhe me shumë muhabet, si me rosat ashtu edhe me lundrarët, arrimë në kufinë e Zvirinës. Krisma dyfegjesh dëgjoheshin nga çdo anë. Edhe shokët po bëjnë muhabet për rosat se lundrarve nuk ua dimë gjuhën. Dielli i bukur aq i dëshiruar, doli më në fund. Rosat po blidhen tok, në mes të liqenit, ku e shkojnë ditën në siguri. Aty-atje, diku, duket ndonjë rosë vëzhguese, (kallauz), të cilën e përshëndoshëm qoftë prej së largu. Përpara nesh, liqeni është i mbushur me një lloj rose të zezë, të quajtura “gaxhë”. Shokët e huaj i quajnë thëllëza liqeni dhe i çmojnë pa masë. Ato janë tepër të majme dhe vriten fare lehtë, po pas mendjes së lundrarëve, ato nuk hahen. Tani po kthehemi. U takuam përpara vendit të lundrave, ku morëm disa piktura, (foto), të cilat zbukurojnë albumet e miqve tim që ndodhen aq larg meje.