Kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare ndahet nga jeta, dy ditë zi kombëtare

HomeCulture

Kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare ndahet nga jeta, dy ditë zi kombëtare

Changes in the book law, reduction from 5 to 3 copies of publications in the National Library
“Liri dhe Transformim”, një festival idesh, letërsie dhe arti
Grant programme, “EU4Culture” monitoring visits to assess progress

Kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e së hënës. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ishte 88 vjeç. Personalitete të larta të vendit dhe jo vetëm kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Akademia e Shkencave të Shqipërisë përmes një mesazhi shprehet se humbi jetën zëdhënësi i një kombi e një rajoni, ndërsa qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha. “Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha. Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën një shtyllë të letërsisë shqipe”, thuhet nga ASHSH. Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. ASH shprehet se me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime e ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Ndërsa Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës shprehet se përveç si shkrimtar, Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX. “Protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe”, thuhet nga ASHAK. Ismail Kadare, ndërroi jetë mëngjesin e së hënës si pasojë e një arresti karidak, duke lënë pas një trashëgimi të pasur. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi. Ai ka marrë shumë vlerësime, mes tyre dhe dekoratën më të lartë franceze “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Qeveria ka shpallur dy ditë zi kombëtare të martën dhe të mërkurën për ndarjen nga jeta të shkrimtarit. Homazhet dhe ceremonia shtetërore do të kryhen po të mërkurën në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

/gazeta_sot