Sa arrin në qendër të komunës, që ka ngritur selinë e saj në fushën e dikurshme të Gopeshit, ku është ngritur fshati i ri i Moglicës. Dikur ky fshat me histori të lashtë, shtrihej sipër dhe arrinte deri në malin e kullotat e Lenies. Por në shkurt të vitit 1977 rrëshqiti tabani i tokës dhe shtëpitë filluan të rrëzohen njëra pas tjetrës. Përballë kësaj fatkeqësie u mobilizua i gjithë vendi, me në krye oprakun, mjeshtrin e dalluar, Osman Dëllinja. Kështu, brenda 35 ditëve u ndërtuan rreth 100 apartamente, buzë lumit të Devollit.
Si çdo fshat i kësaj krahine, edhe Moglica ka historinë e vjetër edhe të re, që me Muharrem Benë në luftë kundër pushtuesve osmanë e andartëve grekë e më pas me Hasan Bej Leshecin, komandantin e çetës partizane në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, të formuar në vitin 1942. Madje, edhe me çetën nacionaliste të Musa Beut, që mori pjesë në aksione luftarake kundër zaptuesve fashistë, si në Snosëm të Gramshit etj..
Moglica, dikur një fshat i madh, shquhet për mbarështrimin e bagëtive, sidomos të dhenve. Ajo është e përmendur për djathin e saj, si Gopeshi për pekmezin, aq sa në pazarin e Korçës thuhej: “Djathë Moglice, pekmez Gopeshi dhe gjalpë Backe” (fshat në Skrapar, poshtë Qafës së Martës)
Çdo banor ka historinë e vet..
Secili prej tyre, i madh apo i vogël të ketë qenë, ka historinë e tij, të vjetër dhe të re. Kalon rrugën plot dredha e gropa, që pret të sistemohet e asfaltohet, shikon urën me qemer dhe shenjat e një dege të rrugës “Ignatia”, për të cilën jep shpjegime arkeologu N. Ceka. Sipër rrëzë malit të Sogorës, është fshati Dobërçan, që dikur kishte rreth 100 shtëpi e për ‘të kënga popullore thoshte: “Dobërçani teferiç,/ Ujë shumë e bukë hiç”. Tani në këtë fshat “me ujë shumë e bukë hiç” shikon kompleksin, që ka ngritur biri i këtij fshati, biznesmeni Fluturim Zëra. Të përshëndesin banesat, stallat, komplekset blegtorale të reja, ashtu siç i kërkon koha e sotme. Hedh sytë drejt malit përpjetë dhe shikon kopenë e dhenve mbi një mijë e ca krerë, tufën e lopëve mbi pesëdhjetë të këtij biznesmeni oparakt, që ka përtëritur traditën e lashtë të blegtorisë të kësaj krahine, ashtu si e kërkon koha e sotme.
Kalon urën mbi lumin e Devollit dhe të del përpara Zereci, me histori të vjetër e të re. Nga ky fshat e ka origjinën dinastia e madhe e Muzakajve. Në Bungë, kur dikur ishte kisha e Shën Mërisë, sipas Memories të Gjon Muzakës të vitit 1510, janë varret e gjyshit e të gjyshes së tij, njëri nga ana e lindjes të oborrit të kishës dhe tjetri nga ana e perëndimit. (Fatkeqësisht gërmadhat e saj u prishën gjatë kohës së kolektivizimit të bujqësisë për të hapur toka të reja). Të del përpara liqeni i bukur i këtij fshati, aq sa 123 vjet më parë patrioti “Mësuesi i Popullit” Nuçi Naçi, kur vizitoi Oparin, do të thoshte: “Në do të shohësh Zvicrën, shko në Zerec… Ky është fshati i Shaban Zerecit, një nga pjesëmarrësit aktive të “Kryengritjes së Fierit kundër monarkisë e që në qershor të vitit 1942 formoi çetën Gorë-Opar, e para në Qarkun e Korçës dhe e treta në Shqipëri, pas asaj të Pezës e të Skraparit. Është vendlindja e komandantit trim të çetave partizane për çlirimin e Voskopojës më 16 janar 1943. Jo larg Zerecit është fshati i vogël, por me histori të madhe, Rrosoveri. Nga ky fshat e kanë origjinën Qyprillinjtë, me në krye Mehmet Ali Pashën, që modernizuan Egjiptin e krijuan një dinasti, e cila vazhdoi rreth 200 vjet. Për këtë dinasti, me origjinë nga Opari, Profesori Aleksandër Xhuvani ka shkruar një broshurë të tërë.. Këtej e ka origjinën edhe shkrimtari Fatmir Gjata. Rruga të tërheq drejt Vrëpckës, ku të bijë në sy teqeja bektashiane e lënë pas dore, që të kujton vrasjen me tradhti të “Robi Hudit” të Oparit, Shahin Matraku më 1908-n.
Fshatrat kësaj krahine janë pëllëmbë e histori. Udhëtari vazhdon rrugën dhe mbërrin në Dushar. Aty të duket sikur do takohesh me kryengritësit e viteve 1700, kundër zaptuesve osmanë, me Ibrahim Burrin “Sherrbelanë” (si e kishin etiketuar armiqtë, se nuk i linte të “qetë” të rripnin e të shfrytëzonin popullin) Sikur do të piqesh me Hysen Zelën e Avdyl Hazizin, prijësit e kryengritjeve të vazhdueshme kundër sunduesve osmanë. Në krye të fshatit të duket sikur ka dalë të të presë me derë të hapur Mehmet Dushari, pjesëmarrësi fare i ri me armë në dorë në “Lidhjen e Prizrenit”, luftëtarin kundër andarteve grekë të vitit 1914, si thotë kënga: “Ja po zbret Opari, zhveshur jataganë,/ Grekun nuk e duam, jemi shqiptarë./ Në na pyetshin kë keni të parë,/ Vetë e kemi zgjedhur Mehmet Bej Dusharë”,krahinorin e kësaj krahine me qendër në Lavdar, caktuar nga qeveria e Vlorës. Të bëhet sikur aty do të gjesh Kostë Skënderin, duke shkruar historinë e Voskopojës. Prandaj edhe kënga thotë: “Voskopoja me Oparë,/ Janë një e të pandarë./ Kanë një gjak e një zakon,/ Shën Prodhomi i bekon”.
Ecën rrugës të lënë pas dore, që pret të sistemohet e të asfaltohet dhe, si kalon me radhë Varvarën, Maliq Oparin, sipër në pllajë duket Kucaka, një nga qendrat kryesore të luftës çlirimtare, ku ka ndenjur për një kohë edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Fshati, ku nuk mundi të shkelë kurrë këmba e armikut. Binjake me të është Popçishti, që ndan kufirin ndërmjet Oparit dhe Gorës. Ky fshat në lashtësi ishte i lidhur me dinastinë e Matrangëve. Edhe vetë biri i këtij fshati, kapedan Shahin Matraku, nga kjo derë e madhe e ka prejardhjen.
“Portat” e tjera për të hyrë në Opar janë “Qafa e Martës”, “Qafa e Beçit” dhe “Kulat e Gjergjevicës”. Kur zbret nga këto të fundit, përballë të del Gjergjevica. Në këtë fshat më 1919 u mblodhën 500 vullnetarë oparakë, nën komandën e Mehmet Dusharit dhe pritën Sali Butkën, të cilët në emër të “Lidhjes së Shqipërisë Lindore, i dërguan ultimatumin francezëve, që mban qytetin me qëllim që t’ua dorëzonin grekëve. “Lironi Korçën brenda 24 orëve. Në mbarim të afatit do vijmë ta marrim vetë”. Edhe gjatë sundimit fashist këtu u krijua çeta partizane “Ostrovica” me komandant Agush Gjergjevicë. Historia është e gjatë dhe e pasur, në një shkrim tjetër do shfaqim vlera akoma më të medha të kësaj zone..