Dita e Hapur për Turizmin e Juglindjes, 19 udhërrëfyes të rinj certifikohen në Korçë
Korçë – Këshilli i Qarkut Korçë zhvilloi “Ditën e Hapur për Turizmin e Juglindjes”, një nismë në kuadër të ditëve të hapura të institucionit, ku u diskutuan prioritetet dhe projektet për zhvillimin e turizmit rajonal gjatë vitit 2026.
Në takim morën pjesë përfaqësues të sektorit publik dhe privat me interes në fushën e turizmit. Gjatë bashkëbisedimit u prezantuan projektet turistike të planifikuara nga Këshilli i Qarkut Korçë për vitin e ardhshëm, si dhe u zhvilluan konsultime publike mbi strategjinë e zhvillimit të turizmit në nivel rajonal.
Momenti kulmor i aktivitetit ishte certifikimi i 19 udhërrëfyesve turistikë lokalë, të cilët përfunduan me sukses trajnimin e iniciuar dhe organizuar nga Këshilli në bashkëpunim me Universiteti “Fan S. Noli”. Ky proces synon rritjen e standardeve profesionale dhe përmirësimin e shërbimit ndaj vizitorëve vendas dhe të huaj.
Takimi shënoi gjithashtu hapat e parë të bashkëpunimit mes udhërrëfyesve të rinj dhe bizneseve lokale, duke krijuar një rrjet bashkëveprimi që pritet të forcohet pas licensimit të tyre nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Përfaqësuesit e Këshillit theksuan se një turizëm i qëndrueshëm ndërtohet mbi bashkëpunimin rajonal dhe koordinimin e aktorëve lokalë, duke e vendosur zhvillimin e turizmit si një nga prioritetet kryesore për Juglindjen.
Ky aktivitet konsiderohet një hap konkret drejt konsolidimit të ofertës turistike në qarkun e Korçës dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve në funksion të zhvillimit ekonomik lokal.
