ARMAND BRAHO: “EDHE NE ITALI GRABISIN..” ALIBIA E RREZIKSHME QE PO NA MPIN NDERGJEGJEN..

HomeActual

ARMAND BRAHO: “EDHE NE ITALI GRABISIN..” ALIBIA E RREZIKSHME QE PO NA MPIN NDERGJEGJEN..

Bashkia Maliq/Vijojnë takimet me blegtorët, këtë herë në Vreshtas dhe Podgorie!
Kapet në flagrancë me lëndë narkotike kokainë në automjet dhe vihet në pranga 32-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari kriminale.
Veliaj hosts two boxing champions, Ermal Hadribeaj and Muhamet Qamili

Nga: Armand Braho

Ju kujtohet grabitja e 9 shkurtit 2026 në autostradën që lidh Leccen me Brindisin në Itali? Një ngjarje e rëndë, që tronditi opinionin publik atje dhe që u trajtua siç duhet, me alarm, me hetim, me përgjegjësi. Por këtu, në këtë anë të Adriatikut, ajo rrezikon të kthehet në alibinë më të lirë të radhës.

Nesër, kur të ndodhë diçka në Shqipëri, dikush do të nxitojë të thotë: “Po edhe në Itali grabisin…” Dhe fjalia do të përdoret si qetësues kolektiv, si mbulesë për dështimin, si justifikim për një realitet që prej vitesh është normalizuar në mënyrën më të rrezikshme të mundshme.

Në vendin tonë, frika nuk është thjesht perceptim. Është ndjesi e përditshme. Dalja në rrugë shpesh shoqërohet me ankthin e një plumbi pa adresë, me pasigurinë e një përplasjeje që nuk e di nga vjen. Krimi jo vetëm që ekziston, por ai shpesh shfaqet i kamufluar, i legalizuar, me kostum investitori, me kartëvizitë biznesmeni. Nëpër rrugë lëvizin njerëz me çanta nën supe, ku arma nuk është më përjashtim brënda tyre.

Ndërkohë, administrata është mbushur me figura që dje njiheshin për varfërinë, e sot për pasurinë e pashpjeguar. Policia, që duhet të jetë standardi i ligjit dhe i rendit, shpesh tregohet e ashpër me qytetarin e zakonshëm dhe e verbër përballë targave të njohura të krimit. Gjykatat, që duhet të jenë porta e fundit e drejtësisë, në jo pak raste lënë të lirë vrasës e rëndojnë dorën mbi të dobëtin, mbi “hajdutin e pulave”, si për të ruajtur një ekuilibër të rremë.

E gjithë kjo pastaj relativizohet me një fjali të vetme: “Edhe në Itali grabitet.” Sikur krahasimi me një vend tjetër të mjaftonte për të larë përgjegjësitë. Sikur fakti që krimi ekziston diku tjetër ta bënte më të pranueshëm këtu.

Por shteti nuk matet me ekzistencën e krimit. Matet me mënyrën si reagon ndaj tij. Me barazinë para ligjit. Me frikën që duhet të ndiejë krimineli, e jo qytetari.

Ne mund të vazhdojmë të jetojmë kështu, duke e zbutur realitetin me krahasime komode dhe shprehje të gatshme. Deri në ditën kur krimi të mos jetë më lajm, por fat personal, e ku gjaku i jonë apo i të afërmit tonë, të shpëlajë ndonjë trotuar apo kafene. Deri në ditën kur dikujt t’i ndalet jeta, e fjalia “edhe në Itali ndodh” të mos ketë më asnjë vlerë.

Atëherë do të jetë vonë për alibi.