Nga Gazetari: Renaldo Salianji
Prej ditësh, Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë po lufton me jetën. Anastasi është një nga personalitetet më të rëndësishëm që Shqipëria ka pasur fatin të ketë. Prania e Tij në Shqipëri, në momentin më kritik për ekzistencën e Kishës shqiptare, është një tjetër provë, se Zoti vërtet e ka dashur Shqipërinë.
Një intelektual i kalibrit botëror, studies, doktor shkencash në disa disiplina dhe “Doctor Honoris Causa” nga më shumë se 50 Universitete dhe Institute botërore. Misionar dhe teolog par excellence!
Njohës i 11 gjuhëve, mes të cilave është shqipja!
Autor i 24 librave (kërkime për Fetë Afrikane, ese në Teologji dhe në Historinë e Misioneve, predikime etj.), ku përfshihen: “Islami, një vështrim i përgjithshëm” (16 botime)!
Është nderuar me 27 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme.
Anastasi është njeriu që ngriti Kishën shqiptare nga varri dhe e riktheu Kishën Autoqefale të Shqipërisë nga humbja ku ishte nisur pa kthim gjatë viteve të errëta të Komunizmit.
E me gjithë këtë profil, Ai, si një misionar i Zotit, jetoi një jetë modeste, jo vetëm i pavlerësuar, por i kundështuar nga një mendësi anadollake, vetëm për faktin se ka lindur grek.
Këto ditë, Kryepeshkop Anastasi po lufton me jetën, në moshën 95-vjeçare. Sot është intubuar, me pak shpresë për t’ja dalë.
I madh e i vogël, i shkuan për ta vizituar në spital, politikanë e intelektualë, qeveritarë e opozitarë grekë dhe më gjerë, Prijës kishash dhe personalitete fetare.
Por për turpin e tyre, shqiptarët heshtën!
Anjë politikan shqiptar, qoftë edhe për njerzillëk, nuk shkroi një rresht për të, duke treguar dritëshkurtësinë e tyre. Dyshoj që politikanët tanë do të ishin kaq “shqiptarë” nëse nuk do të ishte vit elektoral në një vend me popullsi në shumicë myslimane, dhe patriotë që mbyten në një gisht ujë!
Këto ditë, çorrën edhe fasadën e harmonisë fetare, që ne e trumpetojmë dhe krenohemi, pasi asnjë komunitet tjetër fetar, nuk përcolli një mesazh për shërim të shpejtë për Kryepeshkop Anastasin.
Shqipëria, që Ai i dedikoi jetën e tij, nuk i dedikoi qoftë edhe një lutje, teksa lufton me jetën!
Puna e Anastasit këto vite, që nga fronëzimi i Tij e deri në ditët e sotme, është absolutisht një histori suksesi. Përkushtimi i Tij e ngriti Kishën nga harresa, dhe i dha shkëlqimin që kurrë nuk e kishte pasur.
Angazhimi i Anastasit gjatë luftës së Kosovës, është një nga gjërat për të cilat Ai njeri duhet nderuar e respektuar.
Por të mësuar me fasadë, me dukje, me mburrje dhe padituri, ne si popull, nuk e vlerësojmë modestinë dhe përuljen. Anastasi jetoi si modest, nuk bërtiti kurrë për ato që po bënte, nuk u përfshi kurrë në debate dhe nuk nxiti as me fjalë e as me vepra përçarje, prandaj edhe nuk u njoh kurrë nga shqiptarët në të gjithë dimensionin e tij, e nuk u vlerësua në shkallën që Ai meriton.
Si një besimtar mysliman, e di se njerëzit e fesë, besojnë te parimi se kjo jetë është e përkohëshme, dhe se një ditë të gjithë do të ikim për të jetuar një tjetër jetë, atë të amshuarën dhe të pasosurën. Edhe Anastasi është i vdekshëm dhe një ditë, herët apo vonë do të iki nga kjo jetë, por vepra e Tij, do të mbetet këtu, ndoshta për tu vlerësuar nga shqiptarë më të mirë që do të vijnë më pas!
Zoti i qoftë pranë në këto ditë të vështira, dhe bëftë më të mirën për të!