Fshati Goçë/ Ballkoni i Gorës..

HomeActual

Fshati Goçë/ Ballkoni i Gorës..

Prorestë/Do të bllokohet pika doganore greke, ja çfarë do ndodhë
Aksident në Bulgarec/ Ndërron jetë në spital drejtuesi i makinës
Maliq/Një 22-vjeçar përplas me makinë një 8-vjeçar, ja çfarë deklaron policia..

Më kishin thënë që në fshatin Goçë ndodhet një Lis shekullor, mbi 537 vjecar, ndërsa Mihal Grameno në shkrimet e tija në një bashkëbisedim me patriotin Themistëkli Gërmenji, dëgjon prej këtij të fundit këto fjalë: ” Ishte hera e parë që shkova në këtë fshat, në konakun e Feta Goçës (Feta Beut). Kaluam shumë mirë aty, folëm për çështjen e mbrojtjes së territoreve shqipëtare dhe kur u largova i shpreha Beut të Goçës se do të kaloj më shpesh në këto anë, e aq më shumë në këtë fshat me burra mikëpritës, e të shikoj nga ky ballkon Gorën e bukur”. E nga ajo kohë njerëzit apo pasardhësit e këtij vatani shprehen me krenari që Goça është ballkoni i Gorës.
Sigurisht Gora është edhe më e madhe por njësoj e bukur si gjithmonë. Vlera të kësaj krahine mbeten, fisnikëria, mikpritja, kultura art’dashëse, patriotizmi, kënga, vallja e dollia.
Gora është Krahinë që mbart shumë vlera historike dhe kulturore dhe ze një gur themeli në historinë e Shqipërisë apo luftës së trimave për pavarsi. E ndërsa unë skam si qëllim të merrem me Gorën sot sepse për të kanë folur shumë burra para meje, sot po flas unë, e meraku që kam e që do kem ndërjetë është që brezit që na pason dhe na ndjek të flasi për të ose më së paku të mos e harrojë Gorën. Për Gorën flet vet historia ndaj unë po flas për fshatin Goçë, për burimet me ujë të freskët e kurues, që gurgullojnë mes shkëmbinjëve dhe lajthive. E tek kujtoj lajthitë më vjen një thënie ndërmend e Çajupit " aty ku rritet lajthia, aty e ka shtëpinë Perëndia." Ndaj ska se si të jetë ndryshe ky ujë që qan nën këmbët e lajthive, përvecse të jetë i bekuar prej Saj. Por, teksa ngjitesha për në Goçë pashë një lis gjigand, ku dhe takova një banor të këtij fshati, fisnik, që përcillte veçse buzëqeshje dhe mirësi. Ai m’u drejtua: “U gëzova shumë Stiljan që erdhe në Goçë, aman, vetëm të lutem bëje një shkrim për këtë fshat të bukur, e ndërsa unë shihja në sytë e tij që ai dhe Goça ishin një trup, ose dy shpirtra në një qenie. – Unë me shikimin drejtuar vargamaleve të Kozelit, Lenies, Marjanit, Malit të Thatë dhe fushës së pambarimtë të Maliqit, i thashë: “Nga ky ballkon e aq më shumë kur përball shikoj atdheun tim të vogël Berasin unë mund të shkruaj ditë e natë”, – e kështu bëra. Më ftoi në sofër bashkë me Bujarin, ku mjalti, rakia dhe djathi bio i dorës së artë të zonjave dhe nënave Goçare, na larguan lodhjen dhe na mbushën plot me shije e kënaqësi. Mitati më tregoi shumë për zonën, ai e donte atë si ta kishte një fëmijë të vetin dhe unë e dogjova atë me shumë kureshtje dhe respekt. Nuk ishte e lehtë të ikje nga Goça, ujët e freskët të burimeve, luadhet e bukura, lisi shekullor që as rrufetë se kanë shembur dot, mikëpritja, bujaria, fisnikëria e shumë vlera të tjera të flisnin nën zë: ” rri edhe pak”!
E teksa mora rrugën të zbrisja bukurisë dhe kënaqësisë që përjetova ja turbullonte shijen një zhgënjim, kur shikon të rinj që braktisin vendlindjet e tyre, kur shikon gurë që rrinë varur nëpër shtëpira, kur shikon avllira të dehura nga braktisja, kur dëgjon zogj që në cicërimat e tyre thërrasin njerëzit të kthehen, kur shikoj fole të braktisur majë plepave, kur shikoj lisin që qan e rënkon dhe kur Kozeli bërtet e ushëtin: “eja bir, eja bir, eja kthehu në vendin tim.”
E sa shumë ka Goça dhe Gora, sa shumë ka secili prej nesh për të thënë për vatanin e tij, saqë kurrë nuk do na mjaftonte koha, por ne bëjmë sa mundemi.
/Stiljan Belishta/