©️Pogradecipress
Tashmë jemi përballë faktit që e gjithë juglindja ka dhënë rezultate të shkëlqyera nga zbulimet arkeologjike, ku shumë vendbanime prehistorike janë zbuluar nga ekspeditat e arkeologëve shqiptarë në bashkëpunim me ata të huaj.
Instituti i Arkeologjisë, së bashku me Universitetin e Këlnit në Gjermani dhe Universitetin e Bufalos në SHBA, kanë vijuar kërkimet arkeologjike në fshatin Podgorie, konkretisht në zonën e Luadishtit, për vendbanime që i përkasin periudhës së neolitit.
Drejtuesja e kërkimeve arkeologjike, Dr. Edlira Andoni, tha se bazuar në intensitetin e gjetjeve nga survey-i dhe studimi gjeomagnetik, është konfirmuar ekzistenca e një vendbanimi të neolitit të mesëm. Ndërkohë, paraprakisht nga arkeologët është zbuluar hendeqi që rrethon vendbanimin.
Gjithashtu, këtë vit grupi i arkeologëve u përqendrua në zbulimin e banesave të periudhës neolitike.
Sipas datimeve të vitit të shkuar, drejtuesja e punimeve e daton vendbanimin midis viteve 5500 para Krishtit deri në 5000 para Krishtit.
Sipas Dr. Edlira Andonit, qarku i Korçës njihet për potencialin e jashtëzakonshëm të vendbanimeve kryesisht prehistorike.