Kartolina e çjerrë e mini-getos në panairin e javës së Pashkës në Korçë.

HomeActual

Kartolina e çjerrë e mini-getos në panairin e javës së Pashkës në Korçë.

Korçë/29-vjeçari humb kontrollin e automjetit ja gjendja e tij shëndetësore
Rea Kupe/Bukuritë e Sofrës Maliqare ..
65-Vjeçari nga Symizi ka aksidentuar lehtë një 16-vjeçare

Kartolina e çjerrë e mini-getos në panairin e javës së Pashkës në Korçë.

Nga Ardit Konomi

Kjo mund të jetë edhe stina më e bukur e Korçës dhe brenda saj, Pashka është celebrimi më unik i lidhur me traditën.

Është një moment i spikatur krenarie dhe dinjiteti për ne.

Kartolina më e ndorshme me të cilën prezantohemi kur duam të lemë përshtypjen e mirë të brumit qytetar, kulturës, historisë dhe bashkësisë funksionale.

Gjithmonë e mezipritur, e dashur, e butë, e paqtë dhe e kuruar. Gëzimi, urimet, procesionet, paraqitja, ceremonitë, qirinjtë, këmbanat, gjithçka.

Çjerrë banalisht këtë herën e fundit pikërisht në sqimën dhe në këtë tërësi cilësore të saj.

Nga ca hekura të ndryshkur që u vunë të mbanin ca tenda të gjelbra, ca të verdha, ca çadra plazhi ngjyra-ngjyra dhe ca plastmase ambalazhesh.
Në një mini-geto të sajuar dhe të plandosur në zemër të qytetit, që e quajtën punë të mirë dhe i’a vunë emrin panair.

I padinjitoz, i parespekt.
Vulgar.
Sabotues.

Garë zhanresh ku për aq sa unë pashë, në vokal fitoi ‘aaajde tre copë pesqi leka’.

Qen rruge rrotull dhe një çetë e organizuar lypsarësh kryesisht minorenë të tutoruar, nëpër këmbë.

Mundësuar nga një grusht i vogël shkel-e-shko që fle mbi detyrë në bashkinë e Korçës.

Se sigurisht që nuk futen të gjithë në një kallëp në atë institucion që në kohë të tjera ka bërë punë të lavdërueshme për Korçën por që së fundmi po rrëshqet çdo ditë e më poshtë.

Nëse rasti në fjalë do të ishte i vetëm, mund edhe ta sajoja ndonjë shkak për ta justifikuar si lajthitje apo si një pavëmendje të vogël dhe të parëndësishme estetike në mes të vrullit të punëve të mëdha që s’iu lenë kohë as të marrin frymë.

Fatkeqësisht nuk është i tillë. Përkundrazi.

Vijon të jetë ilustrimi i radhës i po të njëjtit standart mediokër në të cilin bashkia po operon për një kohë të gjatë tashmë. Në punët publike, në mirëmbajtjen e territorit dhe infrastrukturës, në shëndetin e mjedisit, në shërbimet e investimet publike dhe gjithë aspektet e tjera e parametrat përcaktues të jetës të përditshme.

Sepse ka diçka të madhe që nuk shkon brenda atij institucioni.

Po bëhet një kohë e gjatë që aktori më i rëndësishëm i qytetit, qeverisja vendore e tij, nuk prodhon asgjë. Edhe ato pak punë që bën, në të shumtën e rasteve i bën aq keq sa më mirë mos i bënte fare, se më shumë prish se ndreq. Nuk ka ide nuk ka fare projekt, nuk ka plan. Nuk di nga të shkojë dhe prandaj s’luan vendit.

Ka një problem të vërtetë atje që si gjithmonë dhe në çdo rast të ngjashëm, qëndron tek drejtimi i atij institucioni por edhe tek apatia e këshillit bashkiak si organ më së pari përfaqësues i komunitetit dhe në këtë funksion edhe llogarikërkues ndaj ekzekutivit.

Kjo paralizë që avancon përditë, nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye si normalitet për Korçën e cila në të vërtetë qëndron mes një morie mundësish dhe hapësirash të paeksploruara dhe zjen nga energjitë e brendëshme të cilat për sa kohë nuk gjejnë dot një dritare këtu, do vazhdojnë të kërkojnë dyert e botës.

Diçka duhet bërë.

Kjo topitje e ka mpirë këtë qytet.
Ky administrim i tillë, ose duhet të kthehet tek puna ose duhet të ikë të shohë punën.

Sqarim: Autori i shkrimit ish Prefekt dhe ish deputet i Korçës.