Hapja e një bari në lagje, dikur biznesi më i preferuar i shumëkujt nuk të shpërblen më aq shumë, pasi po konkurrohen me linjat e mëdha
Të fitosh nga hapja e një biznesi sa vjen e po bëhet më e vështirë. Konkurrenca është shtuar, konsumi është reduktuar për shkak të çmimeve të larta dhe tkurrjes së popullsisë nga emigracioni, ndonëse po kompensohet disi nga turizmi.
Hapja e një bari në lagje, dikur biznesi më i preferuar i shumëkujt nuk të shpërblen më aq shumë, pasi po konkurrohen me linjat e mëdha.
E njëjta gjë dhe me marketet e vogla, që nuk kanë më aq punë teksa konsumatorët po blejnë më shumë në zinxhirët e supermarketeve. Në të njëjtën linjë dyqanet e vogla të veshjeve po ndiejnë presionin e qendrave të mëdha tregtare.
Të dhënat e INSTAT për të ardhurat dhe fitimet, tregojnë se norma e fitimit në ekonomi në vitin 2022 ishte mesatarisht 9.1%, me një rënie të lehtë në krahasim me 9.3% që ishte ky tregues një vit më parë.
Ndërsa bizneset e tregtisë nuk po ecin aq shumë, duket se puna mendore tashmë po shpërblehet. “Shërbimet profesionale” ishin aktiviteti që kishte normën më të lartë të fitimit në vitin 2022, me një normë prej gati 33%. Nga 100 lekë të ardhura, subjektet që kryejnë shërbime profesionale fituan 33 lekë. Në krahasim me një vit më parë, norma e fitimit është rritur me më shumë se 8 pikë përqindje.
Lulëzimi i ndërtimit gjatë viteve të fundit ka shtuar punën dhe për ata që merren me biznesin e pasurive të paluajtshme. Megjithatë, ky sektor ka zbritur në vend të dytë, nga i pari në 2021. Norma e fitimit ishte 24.7%, nga 32% vitin e mëparshëm.
Zhvillimi i teknologjisë ka shtuar hapësirat për ekspertët e teknologjisë së informacionit, që kishin një normë fitimi prej 26% në 2022, me një rritje të lehtë në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ndonëse rendja drejt klinikave shëndetësore ishte më e ulët në 2022, në raport me 2020-2021 kur aktiviteti i tyre kulmoi si rrjedhojë e pandemisë, sërish “shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale” raportuan një normë fitimi prej rreth 21%, në rënie me 3 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm.
Rimëkëmbja e konsumit pas pandemisë, por edhe ardhja e turistëve të huaj kanë nxitur aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit ushqimor, me norma përkatësisht 20% dhe 18% në 2022, me rritje të ndjeshme me 4-5 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Edhe agjencitë e udhëtimeve panë një rritje të normës me rreth 2 pikë përqindje, por kthimi i tyre gjithsesi mbetet më i ulët, në rreth 8%.
Arsimi është një biznes që ka një normë fitimi prej 15%, me rënie të lehtë me një pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm.
Aktivitetet që fitojnë më pak janë ato të tregtisë. Nëse angazhohesh në tregti me pakicë, sipas INSTAT, nuk fiton më shumë sesa 7.2 lekë për 100 lekë të angazhuara, ndërsa vitin e mëparshëm të mbeteshin 8.2 lekë.
Në tregtinë me shumicë, norma e fitimit ishte e qëndrueshme, në 5.7%. Gjithsesi për shkak të xhiros së lartë që realizon ky aktivitet, në vlerë fitimet e tregtisë me shumicë janë të larta.
Sektori i telekomunikacioneve, dikur një nga më fitimprurësit në vend ka rezultuar me humbje prej rreth 11 miliardë lekësh. Me humbje ishte dhe aktiviteti i furnizimit me ujë, prej -2 miliardë lekësh.
Të gjitha bizneset që operojnë në vend, në vitin 2022 realizuan të ardhura totale prej 3.5 trilionë lekësh, ose rreth 32 miliardë euro.
Nga këto 316 miliardë lekë, ose gati 3 miliardë euro ishin fitime. Fitimet më të larta në vlerë i realizoi aktiviteti i tregtisë me shumicë, me 18% të totalit, e ndjekur nga ndërtimi (11% e totalit të fitimeve totale) dhe shërbimet profesionale (10.6%). /Monitor/